Home Lajme Botë Si e pushtoi Rusia Krimenë përmes “Gjelbëroshëve të vegjël” – Ushtarë në uniforma, por pa stema e flamuj

Si e pushtoi Rusia Krimenë përmes “Gjelbëroshëve të vegjël” – Ushtarë në uniforma, por pa stema e flamuj

0
Si e pushtoi Rusia Krimenë përmes “Gjelbëroshëve të vegjël” – Ushtarë në uniforma, por pa stema e flamuj

Më 27 shkurt të vitit 2014, në gadishullin përgjatë bregut verior të Detit të Zi në Evropën Lindore, zbarkuan njësi ushtarake për ta pushtuar Krimenë. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mohoi vazhdimisht se ushtarët pa shenja idenfifikuese ishin rusë… derisa, një vit më vonë, Putin përvec se e pranoi, filloi të mburrej se ata ishin rusë. Këto trupa më pas u njohën si “gjelbëroshët e vegjël”.

Shumica absolute e uniformave ushtarake kanë ngjyrë të gjelbër, andaj forma më e lehtë për ta identifikuar një person me uniformë është përmes shenjave të qepura në të.

Uniforma e Ushtrisë së Kosovës, si shenj identifikuese ka stemën shtetërore, flamurin dhe logon e ushtrisë. Pos këtyre, në uniformë gjejmë edhe gradën dhe emrin e ushtarakut.

Por, në kohën kur ishte pushtuar Krimea nga Rusia më 2014, njësitë ushtarake nuk kishin pasur asnjë shenjë në uniformat e tyre.

Më vonë këta “ushtarë” të paidentifikuar që u përdorën për ta pushtuar Krimenë u quajtën “Gjelbëroshët e vegjël” apo “little green men”.

Ditën e pushtimit, flamuri i Rusisë valonte mbi Parlamentin Regjional të Krimesë. Kjo pasi “gjelbroshët e vegjël” vendosën barrikada jashtë parlamentit, derisa vetë qëndruan brenda.

Një ditë më pas – më 28 shkurt, ushtarët pa shenja identifikuese në uniformat e tyre morën në kontroll edhe aeroportin.

Autoritetet zyrtare të Rusisë mohuan se këto trupa janë trupa ruse, raporton REL.

Në pyetjen e një gazetari drejtuar Putinit se a janë trupa ruse “gjelbroshët e vegjël” për shkak se uniformat e tyre ngjasojnë me ato ruse, Putin i bëri bisht pyetjes.

“Shih uniformat ushtarake të shteteve të Ish-Bashkimit Sovjetik. Te gjitha ngjasojnë. Ju mund të shkoni në një dyqan dhe të blesh të gjitha llojet e uniformave”, thoshte Putin.

“Por, a ishin trupa ruse?”, insistoi gazetari.

“Ishin trupa lokale që mbronin vetën e tyre”, u përgjigj Putin.

Rusia kishte baza ushtarake në Krime, në bazë të marrëveshjes së vitit 1997 me Ukrainën.

Por, “gjelbëroshët e vegjël” vepruan përtej këtyre bazave ushtarake.

Pas një viti me gënjeshtra, Putin e pranoi se “gjelbroshët e vegjël” ishin ushtarë rusë.

“Unë i dhashë urdhra ministrit të Mbrojtës, pse të fshihet? – të vendosen forca speciale të GRU-së, bashkë me marinsa dhe komando nën maskën e përforcimit të sigurisë për ushtrinë tonë në Krime”, kishte pranuar Putin.

Pak kohë pas kësaj deklarate të Putinit, presidenti rus udhëhoqi festimet në Moskë, ku kremtohej përvjetori i parë i vendosjes së Krimesë nën kontrollin e Rusisë.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar 100 kundër 11-ve për ta mos njohur pushtimin e Krimesë nga ana e Rusisë.

Exit mobile version