Kuvendi i Republikës së Kosovës ka publikuar sot të gjitha shpenzimet për udhëtim të deputeteve që nga vitit 2011 deri në vitin 2021.
Janë mbi 1 milion e 130 mijë euro që kanë marrë deputet gjatë kësaj periudhe e të cilët kanë udhëtuar jashtë Prishtinës.
Ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, tani kryetar i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ndonëse ka udhëtuar në relacionin Gllanasellë-Prishtinë, e që me rregullore i ka takuar një shumë e madhe e pareve, ai nuk e ka marrë asnjë cent në emër të shpenzimeve për udhëtim.
Kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve është bërë në bazë të vendimit të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nr. 04-V-079, të datës 10 tetor 2011, i nxjerrë në bazë të nenit 20 të Ligjit nr. 03/L-111 për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit.
Deputeti kompensohet për shpenzimet e udhëtimit si në vijim: deri në 30 km – 10 euro, deri në 60 km – 20 euro dhe mbi 60 km – 30 euro, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione.
Kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit nuk nënkupton shpenzimet për derivate, por për të gjitha mënyrat e udhëtimit.