Derisa sindikalistët kërkojnë shtesat me arsyetimin për rritjen e çmimeve në vend, Qeveria e Kosovës, nëpërmjet udhëzimit administrativ, në qershor përcaktoi marzhën tregtare maksimale të fitimit të naftës dhe vendosi çmimin tavan të shitjes.
Qëllimi sipas Qeverisë ishte të mbrohen konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve në treg.
Po ashtu, Qeveria ka hartuar një projektligj për të gjitha produktet themelore, ndërsa shoqëria civile kërkon kujdes me kufizimin e tregut të lirë.
Frika nga kufizimi i tregut të lirë, ka nxitur shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit që t’i reagojnë Qeverisë në nismën ligjore për kontrollin e produkteve themelore.
Demokracia Plus ka dhënë një sërë rekomandimesh.
Ardit Dragusha nga Demokraci Plus tha për RTK së kjo masë mbrojtëse të zgjatë vetëm për një periudhë të caktuar.
“Kjo masë mbrojtëse duhet të zgjatë vetëm për një periudhë të caktuar, pra sa të ekzistojnë rrethanat e jashtëzakonshme si dhe të shikohet mundësia që të hiqen normat e akcizës apo TVSh-së”, tha Dragusha.
Qeverisë, po ashtu i kërkohet të bashkëpunojë me bizneset dhe shoqatat e tyre në mënyrë që të sigurohet konkurrenca e lirë.
Ky lloj intervenimi në tregun e lirë është si masë mbrojtëse për qytetarët, mirëpo nëse zgjatë për një periudhë pak më të gjatë, atëherë mund ketë pasojat negative tek operatorët ekonomikë, duke qenë se është një lloj cenimi I konkurrencës.
“Nëse vendoset një tavan për pjesën mbi atë tavan, atëherë është dashtë që shteti ta subvencionojë … edhe nëse një produkt është me çmim të lartë, dhe nëse konsumatori nuk e blen, importuesi prapë do ta gjejë një produkt për ta sjellë me çmim më të lirë për qytetarët”, tha Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Për ta tejkaluar krizën ekonomike, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thërret , Qeverinë për diskutime të ngushta me komunitetin e biznesit.
“Për mendimin tim, rritja do të duhej të ishte në nivel të inflacionit, për t’ia rritur vlerën parasë, e dyta, do të duhej të ishte më afatgjate pra deri në mars a prill, për ta kaluar periudhën e dimrit, e dyta duhet subvencionimi I energjisë elektrike për çmimin e rritur, si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset, e treta është çështja e lehtësimit në pagesën e tatimeve për bizneset”, tha Rafuna.
Ndryshe, në qershor Qeveria kishte vendosur çmimin tavan edhe për produktet e naftës. Një mas e tillë është ende në fuqi.