Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (SKGjK), Shkelzen Maliqi, i është besuar edhe një mandat tjetër prej 5 vitesh në krye të sekretariatit të KGjK-së.
Këtë vendim, Këshilli e ka marrë në takimin e 293-të të mbajtur këtë të hënë, pasi të gjithë anëtarët e Këshillit ishin pro vazhdimit të mandatit të Maliqit si drejtor i SKGJK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Deri tek ky vendim i Këshillit erdhi pasi më 1 shtator 2022, Maliqit i përfundon mandati aktual.
Fillimisht, para anëtarëve të Këshillit, Maliqi ka paraqitur vizionin e tij për pozitën të cilën synon ta mbajë edhe për 5 vitet e ardhshme.
Ndryshe, më 11 gusht 2017, Këshilli kishte vendosur që në krye të Sekretariatit të KGjK-së të vije Shkelzen Maliqi.
Sipas Rregullores Nr. 03/2017 për procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, mandati i drejtorit është pesë vjet me mundësi vazhdimi.
Po ashtu sipas kësaj rregullore, drejtori i Sekretariatit është përgjegjës ndaj Këshillit për administrimin efikas dhe efektiv të Sekretariatit dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për gjykatat.
Ai i raporton drejtpërdrejt kryesuesit të Këshillit dhe merr pjesë në të gjitha mbledhjet e Këshillit, i njëjti i përgjigjet të gjitha kërkesave të Këshillit dhe gjykatave për informata.
Vendimi për vazhdimin e mandatit të Maliqit në krye të SKGJK-së do të hyjë në fuqi nga 1 shtatori 2022.