Bashkëpunimi më i ri i kantautorit britanik, Sam Smith, me këngëtaren gjermane, Kim Petras, i titulluar “Unholy” dhe i mirëpritur nga audienca që nga lansimi, tanimë ka pushtuar edhe rrjetin social, TikTok.
“Unholy” është një prej këngëve që kanë arritur famë virale në Tik Tok, duke kapur shifra marramendëse nga përdoruesit e këtij aplikacioni, shkruan CNN, transmeton klankosova.tv.
Formati i platformës e bën të lehtë për shikuesit që të dëgjojnë vazhdimisht ritmin tërheqës të një kënge, prandaj nuk kanë munguar videot e fansave përreth globit, të cilët përmes postimeve të tyre kanë shprehur pëlqyeshmërinë ndaj këngës së re të dyshes, Smith e Petras.
Publikuar të enjten e 22 shtatorit, teksti i këngës gërsheton një rrëfim për pabesinë, ndërsa projektin artistët e kishin paralajmëruar që nga muaji gusht i këtij viti, përmes një videoje të publikuar po ashtu në Tik Tok, e cila mori afro 30 milionë klikime.
Bashkëpunimi në mes të Smith dhe Petras ka rezultuar i suksesshëm edhe në platformat e tjera, kësisoj kënga kishte grumbulluar mbi 10 milionë klikime në vetëm 24 orët e para të publikimit në Spotify.
Ndërkaq, Kim Petras, një artiste gjermane e popit, u bë shumë e popullarizuar që prej publikimit të këngës së saj debutuese, “I Don’t Want It At All”, e cila kryesoi disa lista muzikore virale në Spotify gjatë vitit 2017.