Rusia ka vendosur që ta shtyjë deri më 2027 afatin për pagimin e disa huave që ia ka borxh Kuba komuniste, njoftoi të martën dhoma e ulët e Kuvendit të Rusisë, vetëm disa ditë pasi të dyja shtetet njoftuan se do t’i thellojnë marrëdhëniet në kohën e krizës rreth Ukrainës.
Huat me vlerë të 2.3 miliardë dollarëve dhe të ofruara nga Rusia për Kubën mes viteve 2006 dhe 2019 shërbyen si ndihmë për investimet në prodhimin e energjisë, për metale dhe infrastrukturë të transportit, sipas një deklarate të Dumës ruse.
Në deklaratë thuhet se ligjvënësit rusë ratifikuan një marrëveshje, fillimisht të nënshkruar me homologët kubanë në Havana vitin e kaluar, që i ndryshoi kushtet e huave, shkruan Reuters.
Javën e kaluar, Kuba shprehu përkrahje për Rusinë në ballafaqimin e Moskës me fuqitë perëndimore për çështjen e Ukrainës pas vizitës së zëvendëskryeministrit rus, Yuri Borisov, dhe i akuzoi rivalet e vjetra, Shtetet e Bashkuara, dhe aleatet e saj se po e bëjnë Moskën shënjestër të asaj që e quajti “luftë propaganduese” dhe të sanksioneve.
Vendimi i Rusisë për zbutjen e kushteve të huave vjen në kohën kur Kuba po përballet me një krizë të rëndë ekonomike e sociale, që ka shkaktuar mungesë të ushqimit dhe ilaçeve. Vitin e kaluar, në Kubë u mbajtën protesta që besohet se ishin më të mëdhatë që nga revolucioni i Fidel Castro-s më 1959.
Që nga ky revolucion, Kuba dhe Rusia kanë pasur histori të gjatë të bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak, ndonëse lidhjet janë zbehur në dekadat e fundit. Sidoqoftë, Rusia ka vazhduar që t’i ofrojë ndihma humanitare dhe hua Kubës.
Në dekadën e fundit, Kuba gjithashtu e ka ristrukturuar borxhin me Kinën, Gjermaninë dhe Meksikën si dhe me mbajtësit komercialë japonezë të borxhit.