Home Ballina Qeveria subvencionon rrymën veç deri në fund të vitit, 2023’ta mund të nisë me fatura shumë më të larta

Qeveria subvencionon rrymën veç deri në fund të vitit, 2023’ta mund të nisë me fatura shumë më të larta

0

Mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës për subvencionimin e tarifave të reja të energjisë elektrike janë vetëm për këtë vit. Nëse Qeveria s’ndan mjete të tjera, tre muajt e parë të vitit të ardhshëm qytetarët do të paguajnë vetë gjithë faturën, e që do jetë shumë më shtrenjtë, raporton Express.

Me tarifat e reja, energjia është shtrenjtuar për qytetarët që shpenzojnë mbi 800 kWh rrymë. Për të zbutur ndikimin e kësaj rritje te qytetarët direkt, Qeveria ka ndarë 90 milionë euro.

“Në mbledhjen e sotme është miratuar propozimi i Ministrisë së Ekonomisë për zotimin e Qeverisë për subvencionimin e pagesës së energjisë nga konsumatorët. Sipas vendimit të miratuar, Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar për subvencionim të energjisë në shumën prej 90.000.000.00 € (nëntëdhjetë milionë euro)”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ditë më parë.

Por, mjetet e ndara nga ekzekutivi vlejnë vetëm deri në fund të këtij viti. Në rast se Qeveria e Kosovës s’ndan mjete të tjera, qytetarët do të duhet të paguajnë vetë gjithë faturën në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Këtë e ka thënë në “Pressing” të T7, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu.

“…edhe gjatë periudhës së verës kemi nevojë për import shtesë, mirëpo importi gjatë verës është shumë më i ulët dhe për këtë arsye kjo bllok-tarifë do të jetë në fuqi deri në mars të vitit 2023. Subvencioni është për vitin 2022. Këto mjete janë nda për subvencionimin e tarifave për vitin 2022”, ka thënë Fejzullahu në T7.

Edhe në sqarimet shtesë rreth subvencionimit që ka kërkuar Gazeta Express nga ZRrE, ky institucion ka konfirmuar se subvencionimi i qeverisë vlen vetëm për këtë vit.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në adresë të Zyrës së Kryeministrit, nëse do të ndahen sërish para për subvencionimin e tarifave edhe në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, por deri në momentin e publikimit të tekstit, s’i ka pranuar përgjigjet.

Ndryshe, me tarifat e miratuara, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh do të duhet të paguajnë 5.9 centë për tarifën e ultë dhe 12.52 centë për tarifën e lartë.

Ata që do të shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kWh nuk do të faturohen me çmimin e ri, derisa ata që e kalojnë 800 kWh, me çmimin e ri do t’iu llogaritet vetëm sasia e harxhuar mbi këtë vlerë.

“Tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët jo familjarë, në kuadër të Shërbimit Universal do të mbesin të njëjta si vitin e kaluar. Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kËh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kËh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 cent dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023”, ka njoftuar ZRRE’ja.

Vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, sipas propozimit të LVV-së dhe ministres Rizvanolli

Të njëjtin propozim sikur ky që e miratoi ZRrE e kishte edhe Ministria e Ekonomisë dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në komentet dërguar ZRrE-së propozonte që zgjerimin e brezit tarifor në 800 kilovat nga 600 kilovat që ishte propozuar më parë nga ZRrE.

Propozim tjetër i ME-së ishte shtimi i blloqeve tarifore dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1,000kWh.

“Zgjerimi i brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600kËh në 800kËh, duke pasur në konsideratë efektivitetin e këtij mekanizimi në kushtet e mungesës së alternativave tjera të sigurimit të energjisë elektrike për nevoja të ngrohjes nga një pjesë e konsumatorëve; ose Shtimin e numrit të blloqeve tarifore, që do të mundësonte përshkallëzimin e tarifave nëpër blloqe dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1,000kËh”, ka qenë propozimi i Rizvanollit.

Ndërkaq Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), i pati propozuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat, mos të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.

Mimoza Kusari – Lila, shefe grupit parlamentar të LVV-së, në një konferencë për media patri deklaruar se grupi i dytë i konsumatorëve që shpenzojnë nga 800 deri në 1 mijë e 400 të kenë një rritje që do të përcaktohet edhe në bazë të subvencionimit të qeverisë.

“Blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat për orë, i cili mbulohet nga prodhimi i KEK-ut të mos ketë shtrenjtim të rrymës. Këtu përfshihet edhe subvencionimi i Qeverisë. Ky bllok tarifor përbën 63% të amvisërive në gjithë territorin e Kosovës. Blloku i dytë tarifor nga 800 deri 1400 kilovat të ketë një rritje e cila do të përcaktohet në bazë të subvencioni i Qeverisë dhe llogaritjet e ZRRE-së dhe përfshinë mbi 23% të amvisërive. Më propozimin tonë, dy të tretat e amvisërive kursehen. Blloku i tretë tarifor që do të përfshinte konsumatorët që shpenzojnë mbi 1400 kilovat”, u shpreh deputetja e LVV-së në një konferencë për media.

Si do t’ju llogaritet konsumatorëve fatura e muajit shkurt?

Nga ZRRE’ja dhe KEDS’i e kanë konfirmuar për Gazetën Express se me tarifat e reja do të llogaritet vetëm energjia e shpenzuar nga sot e tutje.

“Tarifat e reja hyjnë në fuqi nga data 9 shkurt 2022 dhe do të jenë të zbatueshme deri me 31 mars 2023”, ka deklaruar Petrit Pepaj i ZRRE’së.

Faturat janë edhe më të shtrenjta se në kalkulatorin e ZRRE-së

Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar dje një kalkulator, përmes së cilit qytetarët mund të llogarisin faturën mujore me tarifat e reja, që janë miratuar dje. Por, në këtë kalkulator s’është përfshirë fare pjesa e subvencionimit nga Qeveria. Fatura duket më e lirë se çmimi real i saj.

Për këtë janë ngritur shqetësime nga qytetarët nëpër rrjete sociale. Ata thonë se çmimet e energjisë janë më të shtrenjta se që paraqiten në kalkulatorin e ZRRE’së, meqenëse aty figuron vetëm vlera e faturës pas subvencionimit.

Në kalkulatorin që kishte publikuar ZRrE’ja në janar të këtij viti, kur propozohej që të shtrenjtohet rryma për qytetarët që shpenzojnë mbi 600 kËh, ka qenë e përfshirë edhe pjesa e subvencionimit nga ana e Qeverisë.

Express ka pyetur ZRRE’në për arsyen se pse në kalkulator s’është përfshirë edhe pjesa që subvencionohet nga Qeveria, mirëpo deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka pranuar përgjigje.

Exit mobile version