Home Lajme Botë Pse kompanitë, madje edhe Joe Biden, po bëjnë postime në rrjete sociale me një fjalë?

Pse kompanitë, madje edhe Joe Biden, po bëjnë postime në rrjete sociale me një fjalë?

0
Pse kompanitë, madje edhe Joe Biden, po bëjnë postime në rrjete sociale me një fjalë?

“Lajmet” ishte statusi i faqes zyrtare të Klan Kosovës në Facebook i cili mori vëmendjen e shumë lexuesve.

Në fakt shumë prej tyre menduan se ky ishte një lëshim teknik, e pati edhe të tillë që menduan se faqja e Klanit u hakua.

Por, ky postim i Klan Kosovës ishte krejt i qëllimshëm duke iu bashkuar kështu trendit global të postimeve njëfjalëshe në rrjetet sociale.

Pjesë të këtij trendi u bënë shumë fytyra publike, e madje edhe lideri i shtetit më të fuqishëm në botë – Joe Biden – i cili cicëroi fjalën “demokraci”.

Por, si u bë trend postimi i vetëm një fjale në Twitter?

Gjithçka nisi kur kompania amerikane e trenave “Amtrak” postoi gabimisht në Twitter fjalën “trenat” të enjten në mbrëmje.

Ky postim mori më shumë se 153 mijë pëlqime dhe u shpërnda 23 mijë herë deri në mesditën e ditës së nesërme, pasi përdoruesit e këtij rrjeti social e kishin spikatur këtë lëshim.

E ishin disa kompani të tjera që e panë këtë si mundësi të mirë për marketing dhe menjëherë bënë postime të ngjashme në Twitter duke e nisur kështu këtë trend viral.

Atyre iu bashkua një lider botëror, një ikonë sportive dhe madje edhe një superhero i Marvel-it, duke bërë kështu që postimet me një fjalë të marrin hov.

Presidenti amerikan, Joe Biden, postoi në Twitter fjalën “demokraci” – diçka që ai ka frikë se është nën kërcënim në ShBA për shkak të “ideologjisë ekstreme”.

Disa përdorues të Twitterit mund të jenë habitur kur legjenda e kriketit, Sachin Tendulkar, postoi thjesht emrin e sportit të tij të preferuar.

Fansat e superheronjve ndoshta janë mrekulluar kur në llogarinë e Deadpool luftëtari fiktiv i krimit postoi emrin e tij si pjesë e trendit viral.

“The Washington Post”, një nga mediat më të respektuara në ShBA, tregoi anën e saj më pak serioze, kur postoi në Twitter fjalën “lajm”.

Ekipi i rrjeteve sociale në NASA postoi fjalën “univers” për më shumë se 61 milionë ndjekësit e tyre.

E me “cicërimë” çuditi edhe presidentja kosovare, Vjosa Osmani, kur thjesht shkroi “liri”. E “liri” – e shumëkërkuar në Ukrainë – shkroi edhe homologu i saj Volodymyr Zelensky.

Dikush për marketing, dikush për qejf, e dikush për trend – kjo është e vërteta e postimeve njëfjalëshe në Twitter dhe rrjetet e tjera sociale këto ditë.

Exit mobile version