Është promovuar libri: “E Drejta e Konkurrencës (Në BE, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut)”, i autorëve Egzone Osmanaj dhe Adnan Jashari, në praninë e profesorëve, studentëve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në UBT.
Dekani i Fakultetit Juridik në UBT, prof.dr. Visar Hoxha, njëherit edhe recensent i librit ka përgëzuar autorët për sjelljen e këtij botimi, i cili sipas tij është i nevojshëm dhe do t’iu ndihmojë jashtëzakonisht shumë gjeneratave të reja të kësaj lëmie.
Profesoresha e UBT-së, Egzone Osmanaj, njëherit edhe bashkautore e librit, ka falënderuar të gjithë kolegët, si dhe të gjithë ata që e kanë përkrahur përgjatë gjithë kësaj pune, duke shtuar se ideja e librit erdhi për faktin se kishte nevojë për një libër të përshtatshëm dhe të thelluar në fushën e së drejtës së konkurrencës.
Libri: “E Drejta e Konkurrencës (Në BE, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut)”, siguron një analizë të qartë të ligjit të konkurrencës në BE, krahason ligjin e konkurrencës të BE-së me ligjin e konkurrencës në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, analizon vendime të rëndësishme në lidhje me konceptin e një marrëveshje të ndaluar dhe analizon evolucionin e kontrollit të përqendrimeve në nivel të BE-së.
Ndër të tjera, libri trajton dhe shqyrton rregullat procedurale, duke përfshirë fillimin e procedurave hetimore kundër ndërmarrjeve, qasjen në dosje, metodologjinë e llogaritjes së masës ndëshkimore, pamundësinë për të paguar dhe lirimin nga masa ndëshkimore.