Home Lajme Botë Presidenti i Sirisë viziton Emiratet e Bashkuara Arabe për herë të parë që nga fillimi i luftës civile

Presidenti i Sirisë viziton Emiratet e Bashkuara Arabe për herë të parë që nga fillimi i luftës civile

0
Presidenti i Sirisë viziton Emiratet e Bashkuara Arabe për herë të parë që nga fillimi i luftës civile

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, mbërriti në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe takoi disa sundimtarë me ndikim, të cilët sinjalizuan një gatishmëri për të forcuar përsëri lidhjet me Sirinë.

Kjo shënon një ngrohje të mundshme në marrëdhëniet e Sirisë me fqinjët e saj arabë, të cilët më parë e kishin izoluar Assadin.

Në mesin e atyre që takuan Assadin ishte sundimtari miliarder i Dubait, Sheikh Mohammed Al Maktoum, i cili është përfshirë në një sërë polemikash kohët e fundit.

Assad udhëtoi gjithashtu në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, për t’u takuar me Princin e Kurorës, Sheikh Mohammed bin Zayed al-Nahyan.

Udhëheqësit thuhet se diskutuan se si Emiratet e Bashkuara Arabe mund të ofrojnë mbështetje politike dhe humanitare për Sirinë, si dhe se si të promovojnë tregtinë ekonomike midis kombeve.

Presidenti Assad është fotografuar edhe me pronarin e klubit të futbollit Manchester City, Sheikh Mansour Bin Zayed Al Nahyan.

Presidenti i Sirisë ka bërë pak udhëtime ndërkombëtare që nga fillimi i luftës së gjatë dhe të përgjakshme civile të vendit të tij në mars 2011, për të cilën Kombet e Bashkuara thonë se deri më tani janë vrarë 350,000 njerëz.

Deri më tani, Assad kishte lënë vendin e shkatërruar nga lufta vetëm për të vizituar Rusinë dhe Iranin, të dyja mbështetës ushtarakë të regjimit të tij.

Shtetet e Bashkuara thanë se ishin “thellësisht të zhgënjyer dhe të shqetësuara” nga vendimi i Emirateve të Bashkuara Arabe për të mirëpritur Assadin.

ShBA është kundër përpjekjeve për të normalizuar marrëdhëniet me udhëheqësin sirian derisa të arrihet përparim në zgjidhjen e luftës civile, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Së bashku me shumicën e shteteve arabe, Emiratet e Bashkuara Arabe ndërprenë lidhjet me Sirinë menjëherë pas shpërthimit të luftës civile – dhe dikur mbështetën luftëtarët rebelë në përpjekjet e tyre për të përmbysur regjimin e Assadit.

Por në vitet e fundit marrëdhëniet mes dy vendeve janë përmirësuar gradualisht, me Emiratet e Bashkuara Arabe që kryesojnë përpjekjet për ta rikthyer Sirinë në krahun arabë pavarësisht reagimeve nga Uashingtoni.

Në vitin 2018 Emiratet e Bashkuara Arabe rihapën ambasadën e tyre në kryeqytetin e Sirisë, Damask, dhe në nëntor të vitit të kaluar, diplomatë u dërguan atje për të takuar Presidentin Assad.

Exit mobile version