Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e ka lutur presidentin rus, Vladimir Putin që ta ndalë luftën në Ukrainë.
Kreu i institucionit më të lartë të futbollit botëror ka folur në mbledhjen e 72-të të Kongresit të FIFA-s.
“Botërori i Rusisë në vitin 2018 ishte sigurisht një Botëror i madh, sportiv dhe kulturor. Por, është e qartë se nuk i ka zgjidhur problemet në botë. Nuk i ka zgjidhur as problemet në rajon”, deklaroi fillimisht Infantino.
“Nuk e ka krijuar një paqe afatgjate. Por, ajo që dua ta them tash është që sapo të përfundojë ky konflikt i tmerrshëm dhe të gjitha luftërat tjera në botë, shpresojmë që futbolli të mund ta ketë një rol të vogël në rindërtimin e marrëdhënieve, në vendosjen e paqes dhe të mirëkuptimit”, vazhdoi kreu i FIFA-s.
“Kërkesa me për të gjithë individët që kanë fuqi, në pozicione të rëndësishme politike, ju lutem që t’i ndalni konfliktet dhe luftërat. Duhet të dialogojmë edhe me armikun më të madh. Duhet të mësojmë që përsëri të jetojmë së bashku”, përfundoi Infantino.
Lufta në mes të Rusisë me Ukrainën ka hyrë në muajin e dytë dhe së fundmi ka shenja që ajo mund të mbyllet me marrëveshje paqësore.