Emmanuel Petit ka paralajmëruar Francën për egon e Kylian Mbappe.
Ish-lojtari i Arsenal dhe kombëtares së Francës, Petit është i frikësuar në mos egoja e Kylian Mbappe do ta dëmtojë vendin e tij në Kampionatin Botëror.
Petit beson se Mbappe, sikur Cristiano Ronaldo, dëshiron të jetë numri 1 dhe ta ketë gjithë fokusin me vete. Ai thotë se Franca duhet ta neutralizojë egon e tij.
“Kur Franca humbi ndaj Zvicrës, aty kishte përplasje mes lojtarëve dhe madje edhe në tribuna mes familjeve. Kishte argumentime për gjuajtjet e lira, penalltitë, etj. Unë e kuptoj që Mbappe është lojtar i madh që ka kualitetet e duhura, ai dëshiron të jetë numri 1 sikur Cristiano Ronaldo. E vlerësoj këtë, por ai duhet të kuptojë se ambicia e tij s’duhet të jetë problem për skuadrën. Ambicia e tij duhet ta ndihmojë skuadrën të arrijë synimet, dhe kjo do të jetë e mirë për të. Nëse Mbappe e kupton se ai është në shërbim të skuadrës, ky do të jetë qëndrim i mirë për klubin”, ka thënë Petit.
“Ai mund të ketë ego të madhe, ky s’është problemi, duhet ego e madhe në fushë për të fituar turne, por kjo s’duhet të interferojë me balancin e skuadrës. Duhet balancë mes ambicies së tij dhe ambicies së klubit”, tha mes tjerash ai.
Mbappe është “fytyra” e Francës për Kampionatin Botëror 2022. Ai pritet të jetë lideri në fushë.