Home Lajme ​Përgjysmohen kompensimet e deputetëve për karburante, kufizohen në 150 euro në muaj

​Përgjysmohen kompensimet e deputetëve për karburante, kufizohen në 150 euro në muaj

0
​Përgjysmohen kompensimet e deputetëve për karburante, kufizohen në 150 euro në muaj

Pas skandalit për shpenzimet enorme të disa deputetëve për karburante, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere sot vendosi t’i përgjysmojë dhe kufizojë në 150 euro në muaj shpenzimet e deputetëve për udhëtime.

Propozimi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe komisione, do të jetë deri në 30 km 5 euro, deri në 60 km 10 euro dhe mbi 60 km 15 euro.

Derisa shpenzimet maksimale që një deputeti mund t’i mbulohen brenda një muaji janë 150 euro.

Këto çmime janë përgjysmuar krahasuar me vendimin e tetorit të vitit 2011, ku deputetët që banonin deri në 30 kilometra larg Prishtinës, kompensoheshin me nga 10 euro, deri në 60 kilometra me nga 20 euro dhe mbi 60 kilometra me nga 30 euro.

Kryetari i Komisionit Armend Muja tha se propozim është i arsyeshëm, dhe ka një tavan të shpenzimeve deri në 150 euro.

“Këtë po e sigurojmë, që të ketë shpenzim të arsyeshëm, një tavan të shpenzimeve, por në njëjtën kohë edhe deputeti ta gëzon të drejtën, sepse ai që udhëton vërtet ka nevojë. Dhe kështu kemi ardhur te propozimi për përgjysmim dhe në të njëjtën kohë një tavan prej 150 euro për muaj. Besoj që ky është një propozim i arsyeshëm, nuk e prek esencailisht mirëqenien e deputetit që udhëton, garanton një mekanizëm për filtrim të shpenzimeve, edhe zgjidhet një dilemë që edhe publiku po na pret me e zgjidhë, këtë propozim e kemi”, u shpreh Muja.

Përveç deputetëve të pozitës pro këtij vendimi ishin edhe deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti, dhe deputetja Duda Balje.

Kurse në votim nuk morën pjesë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku dhe deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj.

Deputeti Avdullah Hoti ani se pati disa kritika për propozimin e VV-së, që sipas tij, nuk është i njëjti sikur ai më 8 shkurt, ofrojë mbështetje për votimin e propozimit të sotëm, pasi siç tha ai pozita sot nuk ka vota të mjaftueshme për ta çuar përpara.

“Ju nuk keni vota me e kaluar, unë votoj pro dhe e mbështesë, e çojmë përpara. Veç ta dimë se çfarë po bëjmë, ju jeni tërhequr prej kërkesës fillestare si Grup Parlamentar, kërkesa që na ka ardhur në Komision me datë 8 shkurt dhe keni sjellë një kërkesë tjetër. Unë po iu mbështes meqenëse nuk ka vota për të kaluar dhe pres që në të ardhmen ta diskutojmë në mënyrë më përmbajtjesore këtë çështje dhe ta përmbyllim këtë diskutim, si dhe kryesisë së Kuvendit t’i shkon vendimi i plotë për të gjitha kompensimet që i merr deputeti përtej pagës bazë”, theksoi Hoti.

Përveç shpenzimeve të udhëtimeve, për shpenzimet ditore të deputetëve tani do të ndahen 5 euro në ditë për pjesëmarrje në seanca plenare dhe mbledhje të komisionit. Për këtë deputeti Hoti ka thënë se nuk po e sheh ndonjë dallim me të kaluarën.

“Propozimi që tash e pash para dy minutave nuk është për t’u hedhur poshtë, me shqyrtuar me kujdes, me dy tri përmirësime mund të rregullohet një aspekt i shpenzimeve që janë mëditjet, dhe shpenzimet e udhëtimit. Pika e parë ato 5 euro deputetët i marrin, dhe prapë po e lëmë të njëjtën gjë. Për ditë pune i kanë marrë. Plus çështja e vendbanimit primar dhe sekondar, çka është kjo? Nëse shihet kështu, 90 për qind e deputetëve kanë vendbanim sekondar. Prej të hënën deri të premten jetojnë në Prishtinë, sepse e kanë punën këtu, dhe për vikend shkojnë në fshat. Votën time e keni për këtë propozim vendim dhe nuk besoj që është për t’u hedhur poshtë, mund ta mbështesë, por të sqarohen gjërat”, theksoi Hoti.

Ndërkaq, deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj në shenj pakënaqësie me propozimin e VV për kompensimin e deputetit, propozoi që të mos ketë fare kompensime. Madje, ai more edhe shembuj në rajon dhe BE për pagën e deputetit.

“Unë propozoj që më mirë të mos ketë fare kompensime, nëse doni me kursyer buxhetin, s’kemi nevojë as 50 për qind me I hequr kësaj shume, por të hiqen komplet të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të punës në kuvend. Kështu që s’kemi çka me diskutuar më tepër. Mirëpo, nëse e shohim një hulumtim për krahasimin e pagave me shtetet tjera, ne jemi më së dobëti në krejt rajonin. E pash në Itali, 167 mijë euro në vit merr një deputet, po kështu në Gjermani, ndërsa në Austri 10 mijë euro paga e një deputeti. Në Kroacia 2770 euro. Në rregull, dikush mund të thotë ne nuk e kemi buxhetin e Kroacisë ose të Sllovenisë. Kështu që është punë që deputetët e bëjnë. Pra, as kushtet jo, edhe pagën… por unë jam që të tërhiqem komplet prej pagesës , komplet”, theksoi Lekaj.

Ndërkaq, deputeti nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku duke treguar se ky propozim është i cekët, tha se nuk do të marrin pjesë në votim.
“Për mua është i mangët si propozim dhe në këtë drejtim pa i diskutuar të gjitha shpenzimet, nuk do të marrë pjesë në votim, si dhe pa u dhënë të gjitha sqarimet”, tha ai.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) me vërejtje në lidhje me kompetencat e kandidatëve.

Dy anëtarët e propozuar për KRPP janë Avni Sahiti dhe Fidane Spahija Gjikolli.

Megjithatë deputetët e opozitës kritikuan emrat e kandidatëve për anëtarë të KRPP-së, për siç theksuan ata mungesë të përvojës profesionale dhe akademike.

Exit mobile version