Deputetët e partive opozitare ende nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket votimit të Kodit Civil. Projekt Kodi Civil, i cili parasheh mundësinë e bashkëjetesës së partnerëve të së njëjtës gjini, po kundërshtohet edhe nga disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
Opozita po kërkon që në këmbim të votës për, të bëhen disa ndryshime të neneve nga Qeveria.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se votimi i Kodit Civil është mëse i nevojshëm. Ai tha se do t’i kërkojnë Qeverisë që të vijë me ndryshimet e kërkuara në mënyrë që të mos mbetet peng i disa neneve Kodi.
“Unë besoj që Kodi Civil është shumë i rëndësishëm dhe besoj që duhet të votohet një Kod Civil. Sigurisht që ne i dimë qëndrimet e secilit dhe janë publike derisa nuk ka një ndryshim në atë aspekt unë e kam dhënë qëndrimin”, ka thënë Lushtaku në një intervistë për Ekonomia Online.
“Ne kemi mundësinë t’i kërkojmë Qeverisë që të vijë me ndryshimin e kërkuar nga deputet te cilët nuk e kanë votuar dhe për neve duhet të kalojë ai Kod Civil sepse është i nevojshëm dhe të mos mbetet peng për disa nene të caktuara të cilën fatkeqësisht e kanë sjellë të mos votohet një Kod Civil i tillë”, shtoi deputeti.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se partia e tij ka qenë mjaft e qartë dhe nuk do ta votojë Kodin Civil. Sipas tij, për këtë çështje ata kanë marrë edhe opinionet e elektoratit.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë mjaft i qartë. Nuk do ta votojmë Kodin Civil. I kemi arsyet dhe kemi konsultuar elektoratin dhe kemi marrë përgjigje që ne nuk duhet ta votojmë Kodin Civil”, tha Lekaj.
“Ashtu siç e kanë sjellë në Kuvend nëse ndryshohet atëherë ne mund të bisedojmë, por me këtë ofertë që e kanë bërë Qeveria ne nuk do ta votojmë Kodin Civil”.
Në sesionin pranveror deputetët nuk e votuan Kodin. Nga 77 deputetë sa ishin të pranishëm në sallë, në votim morën pjesë 61 deputetë, nga të cilët 28 votuan për, 29 ishin kundër dhe 4 abstenuan. /EO