![“Pazari” Kosovë-Serbi, Bërnabiq në veri, e Bislimi e Nagavci në Luginë (Video) “Pazari” Kosovë-Serbi, Bërnabiq në veri, e Bislimi e Nagavci në Luginë (Video)](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2022/09/Polish_20220902_223720425.jpg)
Para se të betohet herën e tretë si kryeministre e Serbisë, Ana Bërnabiq pritet të vijë në Kosovë.
Sipas agjendës së publikuar nga zyra e saj, kryqeveritarja nga Beogradi, të hënën e 5 shtatorit, planifikon të vizitojë Mitrovicën, Zveçanin dhe Leposaviqin.
Në ardhjen e saj të parë në Kosovë, Bërnabiq do të takohet me serbët për të përcjellë, siç thuhet, mesazhe të paqes dhe stabilitetit.
Ardhja e saj premierë bëhet sipas marrëveshjes mes dy vendeve për vizitat zyrtare.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme në Prishtinë konfirmuan se kryeministrja serbe ka leje përkatëse për të qëndruar disa orë në komunat veriore të Republikës.
Si kundërpërgjigje e kësaj ardhje vjen një shkuarje e qeveritarëve kosovarë, të njëjtën ditë, në Luginë.
Zëvendëskryeministri i parë, që është përgjegjës edhe për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, bashkë me shefen e arsimit, Arbërie Nagavci, pritet të vizitojnë komunat e banuara me shqiptarë – Preshevën dhe Bujanocin.
Pos me përfaqësues të këtushëm politikë në agjendën e dyshes qeveritare janë edhe vizitat në disa shkolla fillore.
Se a kanë marrë leje nga Beogradi për këtë vizitë nuk është konfirmuar ende.
Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, tha se po bëhen gati për t’i pritur mysafirët që, sipas tij, janë niveli më i lartë politik që vijnë nga Prishtina.
Kosova dhe Serbia shpesh kanë zënka për lejimin e ardhje-shkuarjeve të zyrtarëve të vendeve përkatëse. Refuzimet janë më të shpeshta sesa lejimet e vizitave, sidomos nga ana e Beogradit.