Ish nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, bashkë me dy familjarët e tij të cilët po dyshohen për sulm ndaj dy policëve në Skenderaj, janë dërguar në mbajtje.
Lajmin për Paparacin e konfirmoi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicën e Jugut, Ismet Ujkani.
Ujkani tha se me urdhër të prokurorit të rastit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Megjithatë, ai nuk ka informacione nëse ka përfunduar ende seanca e paraburgimit ndaj tyre.
“Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Seanca ka filluar pasdite, nuk e di nëse ka përfunduar ende apo jo”, deklaroi ai për Paparacin.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka elaboruar kërkesën e paraburgimit ku ka thëne se ka kërkuar masën e paraburgimit për shkak se sipas saj, të njëjtit së bashku kanë kryer veprën penale.