Deputetët e Komitetit të Punëve të Jashtme i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian, që të kapërcejë status quo-në dhe të ringjallë procesin e zgjerimit brenda radhëve të veta dhe në vendet e anëtarësimit.
Në dritën e kërcënimit rus për paqen dhe stabilitetin evropian, një politikë e zgjeruar e zgjerimit mbetet mjeti më i fortë gjeopolitik në dispozicion të Bashkimit Evropian, theksojnë eurodeputetët në një rekomandim të miratuar të mërkurën.
Duke nënvizuar se BE-ja duhet të ketë prioritet përafrimin e vendeve të anëtarësimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, eurodeputetët thonë se negociatat e pranimit me Serbinë duhet të avancojnë vetëm nëse vendi përputhet me sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe bën përparim të rëndësishëm në reformat në lidhje me BE-në.
“Në këtë këndvështrim, çdo fond i BE-së për Serbinë duhet të rishqyrtohet, në mënyrë që të sigurohet që të gjitha shpenzimet e BE-së të jenë plotësisht në përputhje me qëllimet dhe interesat strategjike të BE-së” thonë eurodeputetët, thuhet në faqen zyrtare të Parlamentit Evropian.
Tutje u tha se anëtarët mirëpresin gjithashtu vendimin jashtëzakonisht të shpejtë të Këshillit Evropian për aplikimet e Ukrainës, Republikës së Moldavisë dhe Gjeorgjisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe u bëjnë thirrje të tre vendeve të përparojnë me reformat thelbësore të përshkruara në Opinionin e Komisionit të 17 qershorit.
“Është përmes progresit konkret me reformat që vendet kandidate mund të demonstrojnë vendosmërinë e tyre për t’u bërë anëtarë të BE-së”, përfundojnë eurodeputetët.