Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, e ka kritikuar Bashkimin Evropian për ngecje të mëdha në integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Bashkimi Evropian nuk ka alternativë. Procesi i integrimit në BE ka qenë fort i ngadalshëm dhe kjo çon te rritja e nacionalizmit dhe idetë e papranueshme të ndryshimit të kufijve”.
Kryetari slloven, shteti i të cilit është anëtar i unionit që nga 1 maji i vitit 2004, thotë se Lubjana është për përshpejtim të procesit të hyrjes së gjashtë vendeve ballkanike në union.
Ai ka renditur tre çështje qenësore që po e shtojnë shqetësimin për të në Ballkanin Perëndimor.
“E para është bllokada e Bullgarisë e bërë ndaj Maqedonisë së Veriut për moshapjen e negociatave për anëtarësim në BE që rrjedhimisht prek edhe Shqipërinë. Mungesa e përparimit në dialogun Prishtinë-Beograd dhe mbi të gjitha situata jo stabile në Bosnje e Hercegovinë”.
Këto komente Pahor i bëri nga kryeqyteti i Bosnjes, ku të mërkurën zhvilloi punimet “Forumi i Bizneseve të Sarajevës”.