Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është e ditur që Serbia do ta mbështes Rusinë për veprimin e saj që ka bërë me nisjen e luftës në Ukrainë.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ajo ka theksuar se kjo më së miri vërehet për shkak të ndikimit rus që është në Beograd, duke përmendur ekonominë dhe politikën.
“Pavarësisht deklarimeve të Serbisë apo pretendimit se janë neutral, në fakt Serbia qëndron qartë me Rusinë sepse veprimet e saj e dëshmojnë një gjë të tillë. Hapja e qendrave ushtarake ruse që kamuflohen si qendra humanitare, ndikimi më i madh ushtarak rus sot se sa në kohën e Sllobodan Millosheviqit për shumë fish më shumë, ndikimi ekonomik është çdo ditë e më i madh, por mbi të gjitha ndikimi politik sa i përket mendësisë politike”.
“E dëshmon se Serbia qëndron me Rusinë po aq sa diktatori i Bjellorusisë, Aleksandar Llukashenko, prandaj askush nuk duhet ta ketë as më të voglin dyshim se Serbia synon atë që Rusia e synon në Ukrainë dhe Gjeorgji”, ka thënë Osmani në Rubikon.