Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovvës, Memli Krasniqi ka thënë se protestat e dhunshme të Albin Kurtit i kanë dëmtuar jashtëzakonisht interesat e Kosovës, raporton Scanner.
Për këtë arsye, Krasniqi ka thënë se PDK nuk i sheh protestat dhe dhunën si mjet për të arritur qëllimin.
“Ky opozitarizëm e ka dëmtu vendin tonë dhe proceset tona. E ka dëmtu edhe arritjen e marrëveshjes me Serbinë në vitin 2017. E ka dëmtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke qenë lajm për të keq gjithandej. Mbi të gjitha, e ka helmuar skenën politike në Kosovë.”, ka thënë Krasniqi në emisionin Këndi i Debatit në Tëvë1.
Krasniqi ka thënë se PDK nuk është parti e tillë dhe nuk do të bëjë opozitarizëm të tillë.
“Për ne më me rëndësi është Kosova sesa partia. Interesat e shtetit tonë janë më të mëdha sesa a jemi ne në pushtet apo jo. Gjeneza e PDK-së është e tillë. PDK dëshiron të ndryshoj paradigmën e opozitarizmit në Kosovës. Më lehtë është dalësh në rrugë por nuk mendojmë që është rruga e duhur. Ne duhet të ofrojmë kompetencë, posaçërisht kur e kemi një qeveri jokompetente.”, ka thënë Krasniqi.
“Ne duhet tu japim alternativë qytetarëve dhe të jemi të qëndrueshëm në këtë qëllim. Unë nuk dua që PDK-ja të fitoj vetëm duke thënë se po votojnë kundër Albin Kurtit. Unë dëshiroj që PDK të fitoj duke thënë se po besojnë se këta janë njerëzit dhe alternativa e duhur për Kosovën. “, ka shtuar ai.