Home Lajme Nurellari për pakënaqësinë e Berishës pas sulmit: Ai s’kishte reaguar kur ushtrohej dhunë ndaj PDK-së e LDK-së

Nurellari për pakënaqësinë e Berishës pas sulmit: Ai s’kishte reaguar kur ushtrohej dhunë ndaj PDK-së e LDK-së

0

Pasditen e kësaj të  shtune, situata në veri të Kosovës është ‘ndezur’ sërish edhe pse qeveria ka marrë vendimin për shtyrje të zgjedhjeve komunale deri në prill të vitit 2023.

Për këto zhvillime ka folur politologu, Adri Nurellari. Ai për VizionPlus tha se Qeveria e Kosovës dhe mazhoranca në përgjithësi, janë treguar të papërgjegjshme.

Sipas tij, problemi i zgjedhjeve komunale nuk mund të zgjidhej në mënyrë teknike por duhej të ishte menduar më herët.

“Së pari, nuk duhet të ishin shpallur fare ato zgjedhje dhe qeveria të ishte treguar mjaftueshëm e përgjegjshme më herët, të mos vepronte në mënyrë teknike. Ka një papërgjegjshmëri nga ana e mazhorancës. Problemi nuk zgjidhet në mënyrë teknike nga KQZ, do të duhej të ishte menduar më herët. Kjo është përsëritje e një sjellje naive, në rastin më të mirë, e të rrezikshme në rastin më të keq ku nuk dëgjohen këshillat e partnerëve, vendosen barrikada, plagosen policë dhe dëmtohen gazetarë. Dhe Kosova kthehet në lajmet ndërkombëtare si një vend i pasigurt e pastaj të kthehemi në një gjë që mund të ishte evituar. Papërgjegjshmëri”, tha Nurellari.

I pyetur se çfarë mund të pritet nga përshkallezimi i situatës në veri, ai tha se për momentin vendimi për shtyrje të zgjedhjeve dhe përfshirja e partnerëve ndërkombëtar do ta ulin tensionin por problemi është që po merret një vendim afër pikës së vlimit. “Kjo është një sjellje fëmijërore e politikanëve të Kosovës e kjo është skenë e përsëritur si në vitin e kaluar. Kjo nxjerr në pah papërgjegjshmëri totale”, shtoi ai.

Nurellari komentoi edhe ‘pakënaqësinë’ e Sali Berishës për mosreagim nga politika e Kosovës për sulmin që u bë ndaj kryedemokratit.

Analisti tha se është e kuptueshme një gjë e tillë, pasi edhe Berisha, nuk ka bërë asnjë reagim kur është ushtruar dhunë ndaj politikanëve të LDK apo PDK në Kosovë.

“Padyshim që ngjarja ishe e rëndë, dhe çdo lloj dhune është lajm i kobshëm sidomos dhuna në atë ditë të rëndësishme për Shqipërinë. Por është e kuptueshme deri diku sepse edhe LDK edhe PDK, nuk është se Berisha ka shprehur solidaritet ndaj sulmeve që janë bërë ndaj anëtarëve të këtyre partive. Dhe jo vetëm që Berisha e opozita nuk ka manifestuar solidaritet, por e kanë pritur si hero Kurtin, si pishtar i së drejtës së kulluar. Kështu që nuk është rastësi që nuk ka solidaritet”, tha ai.

Exit mobile version