Ferizaj- Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, duke ua caktuar nga një muaj paraburgim të dyshuarve B.H, A.Ç, dhe I.A, konform nenit 187, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, të dyshuar për përfshirje në rastin “Brezovica”.
Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Ky vendim vjen pasi Prokuroria Themelore në Ferizaj, kërkoi nga kjo gjykatë caktimin e paraburgimit për tre të dyshuarit.
Prokuroria pretendon se për dyshuarin B.H., ekziston dyshimi i arsyeshëm se si person zyrtar- kryeinspektor i Inspektoratit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, tani MEA, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe persona tjerë.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.
Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari A.Ç., si person zyrtar-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe persona tjerë.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.
I njëjti, sipas prokurorisë ka pranuar para me qëllim që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428, par.2 lidhur me nen 31 të Kodit Penal.
Ndërsa, i dyshuari i tretë, I.A., ekziston dyshimi i bazuar se i ka dhënë para personit zyrtar që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.
Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429, par.3 të KPRK-së dhe veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 të KPRK-së.
Gjykata Themelore në Ferizaj njofton se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura dhe ky dyshim i bazuar mbështetet nga faktet dhe provat, të cilat janë të bashkëngjitura deri në këtë fazë.
“Me këtë rast, palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftim.