![Nga cilësimet si “një shpi budall”, Haradinaj bëhet “zëdhënës” i Kurtit për marrëveshjen me Serbinë Nga cilësimet si “një shpi budall”, Haradinaj bëhet “zëdhënës” i Kurtit për marrëveshjen me Serbinë](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2022/10/ZKM-21-10-2022-1-1.jpg)
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka humbur krejtësisht balancin politik ditëve të fundit.
Ai ka filluar të “flirtojë” me të madhe politikisht me kryeministrin Albin Kurti.
Nga kritikat e mëhershme të ashpra kundër Kurtit, qeverisjen e të cilit e quante “një shpi budallë”, Haradinaj ditëve të fundit ka përfunduar duke u bërë zëdhënës i “shtëpisë së budallëve” për dialogun dhe marrëveshjen me Serbinë.
Madje, Haradinaj dje shkoi aq larg, duke pohuar se e ka parë njohjen në draft-marrëveshje, e cila realisht nuk figuron askund, pasi që siç ka mësuar Demokracia.com, të njëjtin dokument e kanë parë edhe liderë të tjerë opozitarë, të cilëve ua kishte prezantuar Lajçak e Escobar.
Haradinaj, po ashtu, ka thënë se ka një vit që po punohet për marrëveshjen përfundimtare, gjë që nuk është sërish e vërtetë, sepse për të punohet minimalisht që nga viti 2018-të, ndërsa propozimi i tanishëm me ndonjë ndryshim eventualisht të vogël ka qenë në tavolinë qysh para një dekade, porse ai ishte refuzuar si i papranueshëm.
“Ka mbi një vit që punohet për Marrëveshjen përfundimtare ligjërisht të obligueshme për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kam qenë personalisht i angazhuar për këtë temë dhe kam dhënë kontributin tim. Qytetarët në Deçan, i sigurova se marrëveshja do të rregullojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, dhe është interes i Kosovës përfshirja amerikane në këtë proces si dhe që të përshpejtojë rrugën e saj drejt NATO-s.
Gjatë bashkëbisedimit, përsëritëm shqetësimin tonë për gjendjen ekonomike, krizën energjetike në vend dhe mungesën e syqeltësisë së qeverisë për të marrë masat e duhura para se të vijë dimri”, ka shkruar ai.
Haradinaj në fund, siç shihet e ka kritikuar Qeverinë Kurti sa për “sy e faqe” vetëm për krizën energjetike. /Demokracia.com/