Home Lajme Nga batutat te mesazhet e paqes, fjalimi i Ramës në Këshillin e OKB-së: Me sytë nga drita

Nga batutat te mesazhet e paqes, fjalimi i Ramës në Këshillin e OKB-së: Me sytë nga drita

0
Nga batutat te mesazhet e paqes, fjalimi i Ramës në Këshillin e OKB-së: Me sytë nga drita

Në vijim të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë në pritjen e organizuar në New York, me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, një ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes kombeve.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve theksoi se “Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, që shënon edhe një tjetër gur themelor në rrugën tonë të transformimit për të përmbushur aspiratat tona si komb dhe për të kontribuar që ta bëjmë botën një vend më të mirë për ne dhe për të gjithë.”

Kryefjalë e fjalimit të kryeministrit ishte paqja, dialogu dhe vlerat. Misioni i Shqipërisë, theksoi Rama, është që të çojë në Këshillin e Sigurimit zërin, vlerat dhe normat e saj, si kontribut për paqen. Kryeministri theksoi se Këshilli është krijuar për të ngritur zërin e për të ndërhyrë në shërbim të vlerave, kur ndodhin shkelje flagrante.

Ne jemi angazhuar të sjellim zërin, vlerat dhe normat tona në punën e përbashkët të Këshillit të Sigurimit, si kontribut për paqen. Ne dëshirojmë të ndajmë me të tjerët përvojat e jetuara, mësimet e marra.”, tha Rama.

Në ceremoni merrnin pjesë Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB Abdulla Shahid, Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara Ferit Hoxha, ambasadorë të vendeve anëtare në OKB, përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA, etj. Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së shprehu përgëzimet e tij për zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023. “Nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria do ta ndërtojë më tej punën mbi angazhimin e saj afatgjatë për paqen dhe sigurinë dhe mbi historikun e angazhimit të saj të fuqishëm me organizma të shumta të Kombeve të Bashkuara, për të forcuar punën e Këshillit.” – u shpreh Shahid gjatë ceremonisë.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, në fjalën e saj përshëndetëse e vlerësoi mandatin si një përgjegjësi dhe privilegj të madh për vendin. “Për herë të parë, 66 vjet pasi u bë anëtare e OKB-së, Shqipëria ka mundësinë të ulet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo sigurisht është një përgjegjësi e madhe. Ky pa dyshim është një privilegj i madh. Por ky është në të njëjtën kohë, një moment tejet i veçantë në historinë e Shqipërisë moderne. Ajo tregon se sa larg kemi udhëtuar dhe sa shumë kanë arritur vendi ynë dhe njerëzit tanë.”- u shpreh Ministrja e Jashtme Xhaçka.

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, Kryeministri Edi Rama u prit edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, ndërsa sot do të ketë një takim edhe me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.

Exit mobile version