Drejtorja e Punëve dhe Mirëqenies Sociale në Prizren, Vjollca Kabashi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pasi që sipas saj është shantazhuar dhe është kërcënuar.
Këtë e ka bërë të ditur vet Kabashi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Kabashi ka shkruar se pas emërimit në këtë pozitë ka besuar tek kryetari, Shaqir Totaj për mbështetje, mirëpo sipas saj ka dalë e kundërta.
“Besova që kryetari Totaj pas emërimit do të jetë mbështetës dhe shtytës kryesor i mirëqeverisjes ndërsa ndodhi e kundërta si burokracia dhe nepotizmi. Sigurisht që, kur e kam marrë detyrën , kam qenë e vetëdijshme për sfida e vështirësi të natyrës së punës por për këto 10 muaj nuk gjeta bashkëpunim dhe gatishmëri për punët që na pritnin në këtë drejtori. Përkundër faktit dhe kërkesave të mia të vazhdueshme për bashkëpunim me kryetarin kërkesat e mia janë injoruar, ku kam pritur për 5muaj që vendimet ti nënshkruaj kryetari i komunës”, ka shkruar fillimisht ajo.
Më tej, Kabashi ka thënë se për 10 muaj asnjëherë nuk është pritur nga kryetari për kërkesat që i ka bërë për takim. Teksa, ka bërë të ditur se pas detyrimit për nënshkrim është drejtuar në stacionin policor.
“Pas detyrimit të nënshkrimit nën kërcënim brenda zyrës së kryetarit, i dërgova email përsëri kryetarit ku lidhur me këtë rast i njoftova dhe u drejtova në stacionin policor ku dhashë deklaratë në njësitin e krimeve ekonomike në Prizren për të gjitha këto parregullsi”, ka përfunduar Kabashi.