Policia në Mitrovicë të Jugut e ka gjobitur sot një shofer pasi ai ka vozitur me shpejtësi 106 km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 40 km/h.
Ai është gjobitur me 500 euro, i janë shqiptuar 5 pikë negative dhe i është marrë leja për një vit.
“Masat ndëshkimore të parapara me ligj, do të vazhdojnë të merren ndaj te gjithë kundërvajtësve të cilët nuk respektojnë rregullat në trafik dhe rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në trafikun rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Njoftimi i plotë:
Gjobë dhe masa mbrojtëse ndaj kundërvajtësit i cili në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 40km/h, drejton automjetin me shpejtësi prej 106 km/h
Njësia Rajonale e Trafikut në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, sot gjatë kontrollit të trafikut rrugor në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë përkatësisht në segmentin rrugor në Vushtrri, gjatë matjes së shpejtësisë me radar ka identifikuar një veturë e cila ishte duke zhvilluar shpejtësi prej 106 km/h në zonën urbane ku kufizimi i shpejtësisë është 40 km/h.
Ndaj kundërvajtësit është shqiptuar gjoba prej 500 euro, pesë (5) pikë negative si dhe masa mbrojtëse-ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik për një (1) vit.
Masat ndëshkimore të parapara me ligj, do të vazhdojnë të merren ndaj te gjithë kundërvajtësve të cilët nuk respektojnë rregullat në trafik dhe rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në trafikun rrugor.