Lëvizja Vetëvendosje dikur kërkonte përfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, edhe për shkak që vendosja e tij ishte bërë në bazë të rezolutës 12/44. E sot derisa janë në pushtet po heshtin për një gjë të tillë.
Nuk u linin vend veturave të tyre.
Sa herë që Lëvizja Vetëvendosje bënte aksione, oborri i UNMIK-ut dukej kështu.
E për vetë Albin Kurtin, ky mision ndërkombëtar që nisi punën në tetor të vitit 1999, cilësohej si kriminal.
Mendimi për të, i ndryshoi me të ardhur në pushtet.
Madje, Kurti më nuk po kërkon as përfundimin e mandatit të tij.
Zyrtarët e kësaj organizate ndërkombëtare, më nuk i duken kriminal, e për punën e kryer për dy dekada në Kosovë ky po i falënderon.
Të habitur me qasjen e Kurtit ndaj UNMIK-ut po shprehen edhe bashkëpunëtorët e kryeministrit.
Por dikush që tregon se pse Lëvizja Vetëvendosje më nuk e ka problem UNMIK-un në Kosovë.
Misionit të UNMIK-ut iu zbeh mandati, në shkurt të 2008-ës, kur Kosova shpalli Pavarësinë.
Detyrat e tij ekzekutive në sundimin e ligjit u bartën tek Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në pajtim me deklaratën e Kryetarit të Këshillit të Sigurimit më 26 nëntor 2008.
Tashmë UNMIK nuk posedon kompetenca ekzekutive, përveç atyre mbikëqyrëse.
Por problemi më i madh i këtij shihet vetë rezoluta 12/44 mbi të cilën u vendos ky mision.
Për shkak të kësaj rezolute e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës, vazhdimisht është kërkuar zhbërja e UNMIK-ut në vend, duke iu përfunduar mandati.