Muhamet Mustafa nga instituti RIINVEST i ftuar në emisionin ‘Prime Time’ , ka treguar faktorët që kanë quar në ngritjen e çmimeve në Kosovë.
Mustafa tha se Pandemia, Kriza Energjetike, dhe Lufta në Ukrainë janë faktorët që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve në Kosovë.
“Është një grumbullim i efekteve negative që e kanë shkaktuar një çrregullim në zingjirët e furnizimit dhe një çrregullim midis ofertës dhe kërkesës. Një tendencë të rritjes se inflacionit e patëm edhe gjatë kohës së Covidit, për shkak të problemeve në furnizim dhe hedhjes së një sasie më të madhe të parasë në qarkullim në krahasim me gjendjen para Covidit, kështu që kërkesa ishte me e madhe se sa oferta dhe ne përfundim vitin e kaluar me një inflacion gati 5, 6 për qind”, tha Mustafa në Prime Time.
Tutje, Mustafa tha se inflacioni në Kosovë mund të ketë kaluar shifrën dyshifrore.
“Gjatë kësaj vjeshte pas një stabilizimi, rritje ekonomike, rikthim të një atmosfere pozitive, një optimizmi më të mirë ekonomik, ne u ballafaqum me një krizë të rëndë energjetike e cila ka një ndikimi gjithëpërfshirës në rritjen e çmimeve, dhe tash konflikti në Ukrainë, agresioni i Federatës ruse në Ukrainë i ka dhënë edhe një shtytje të re, pra kemi një nxitje të trefishtë të një inflacioni i cili kam frikë se e ka arrit inflacionin dyshifrorë dhe kjo do të ketë efekte negative në shumë fusha”, tha Mustafa në Kanal10.