Vedat Muriqi ka pasur një mbrëmje mjaft aktive me skuadrën e Mallorca. Ai mori vëmendjen, por jo vetëm për mirë.
Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi ka luajtur nga minuta e parë në ndeshjen Elche – Mallorca.
Ndeshja nuk nisi aq mirë për ‘piratin’ e Mallorca, i cili në minutën e 12’ gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Gabimin e Muriqi e shfrytëzoi Elche, duke shënuar përmes Ponce vetëm tre minuta më vonë.
Në pjesën e dytë, Elche mbeti me 10 lojtarë, kur në minutën e 61’, Boyle u ndëshkua me të kuq.
Në minutën e 71’ ishte radha që Vedati të gjente golin. Kosovari shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, për të mos gabuar dy herë radhazi.
Megjithatë, punën e tij të mirë e çoi poshtë në minutën e 85’ kur u ndëshkua me karton të kuq, për sjellje josportive. Rezultati nuk u ndikua nga largimi i Vedatit.
Mallorca, me barazimin ndaj Elche shkon në 9 pikë për pozitën e 12 pas tetë ndeshjeve. Elche në tetë ndeshje merr vetëm pikën e dytë dhe mbetet në pozitën e fundit.