Ligji për Pagat vazhdon të jetë një nga kërkesat më të shpeshta të gjithë punëtorëve në sektorin publik.
Përfaqësuesit e sindikatave për vite të tëra kanë bërë kërkesa publike, duke i përcjellur ato edhe përmes protestave e grevave të shumta.
Pavarësisht këtyre kërkesave, institucionet e Kosovës ende vazhdojnë të “zvarrisin” këtë proces, tejet të rëndësishëm për vendin.
Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvendin e Kosovës gjatë muajit mars, teksa ende nuk dihet se kur mund të shkojë për miratim në Qeveri e pastaj në Kuvend.
Edhe pse në programin legjislativ ishte paraparë që ky projektligj të trajtohet në mars 2022, një gjë e tillë nuk u arrit.
Lidhur me vonesat të cilat janë bërë në përpunimin e këtij projektligji, lajmi.net ka kontaktuar disa herë radhazi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Financave.
Por janë pikërisht këto dy ministri, të cilat kanë vendosur që të heqin nga vetja përgjegjësinë që bartin për këtë proces dhe t’ia vendosin njëra-tjetrës.
Sikur të koordinoheshin, dy ministritë janë përgjigjur njësoj duke theksuar se përgjegjësia njëherësh nuk i takon MPB-së, e ngjashëm edhe Ministria e Financave.
Nga Ministria e Financave përgjigja ishte “Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për Projektligjin për Paga”.
E nga Ministria e Brendshme u përgjigjën “Për këto pyetje ju lutem drejtohuni në Ministrinë e Financave dhe Transfereve”.
Të dy zyrat për informim të ministrive përkatëse vendosën që përgjegjësinë për punët të cilat po kryhen në kuadër të këtij ligji tejet të rëndësishëm për vendin, t’i lënë në ajër.
Por, është vetë ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, i cili ka raportuar në Komisionin e Administratës Publike, Pushtet Lokal, ku tha se hartimi i këtij ligji është në fazën përfundimtare.
Sveçla theksoi se për shkak të implikimeve financiare, janë duke vazhduar punën me Mistrinë e Financave për të mbuluar nevojat.
“Është e qartë nëse i referohemi datave si numra kemi vonesë dhe kjo është për arsyen e vetme sepse po punojmë për një ligj qe mbulon sferën e nevojave për secilin institucion veç e veç. Për sa na përket ne si Ministri e Punëve të Brendshme ky ligj është përfunduar, tashmë është në fazën vlerësimit në ministrinë e financave”, ka thënë Sveçla sa i përket vonesës së këtij ligji.
E pikërisht për këtë ligj debat i madh ishte bërë në kuadër të vlerës së koeficientit të zyrtarëve publik.
Për shkak të mungesës së vlerës monetare të koeficientit, ishin publikuar vetëm numrat në bazë të pozitave të zyrtarëve shtetëror.
“Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të informojë qytetarët se vala e pseudolajmeve që po përhapen me shpejtësi në mediat tona rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publik është e pavërtetë dhe qëllimkeqe. As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, pati deklaruar Sveçla.
Ndryshe pikërisht më 30 qershor 2020, Gjykata Kushtetuese pati marrë vendim që të shpallte të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Në bazë të këtij vendimi, thuhej se ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës. Tutje u theksua se zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura, në bazë të Ligjit që ishte miratuar në vitin 2019.
Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Pagat në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit, pikërisht për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën.
Ligji për Pagat u miratua në muajin shkurt të vitit 2019. Ky ligj rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeteshin jashtë.
Ligji asokohe ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj.