AIP-ja i ka shqiptuar një gjobë në vlerë prej 30 mijë euro Ministrisë së Bujqësisë, në një vendim të nxjerrë më 18 shkurt.
Ministria e Bujqësisë ka keqpërdorur të dhënat personale të fermerëve për shtatë vite me radhë.
Kësisoj, dikasteri i bujqësisë në ekzekutiv është gjobitur nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, një institucion i pavarur që mbron të dhënat personale të kosovarëve.
Shkelja e të dhënave personale të fermerëve të cilat kanë përfituar grante nga qeveria, sipas AIP-ës, ka ndodhur për shtatë vite me radhë: nga 2013, deri më 2020.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi (Agjencia), më datë 27.01.2022, ka pranuar informacion se Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) në faqen zyrtare të saj (internet) ka të publikuara për një kohë të gjatë lista me të dhëna personale të subjekteve të të dhënave (fermerëve)”, thuhet në vendim.
Sipas agjencisë, të dhënat e keqpërdorura të fermerëve përfshijnë emrin, mbiemrin, numrin personal, vendbanimi dhe shumën e përfituar.
AIP-ja i ka shqiptuar një gjobë në vlerë prej 30 mijë euro Ministrisë së Bujqësisë, në një vendim të nxjerrë më 18 shkurt.
“Obligohet Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, që shumën prej €30.000 (tridhjetë mijë
euro) të paguajë, në afat prej 15 ditësh, në xhirollogarinë e Agjencisë për Informim dhe
Privatësi”, thuhet në vendim.
Vendimi i AIP-ës, i është dërguar kryeshefit të Agjensisë për Zhvillim në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Ai është obliguar të ndërmarrë veprime në prishjen e të dhënave të përpunuara jashtëligjshëm të fermerëve.