Një deklaratë e presidentit rus, Vladimir Putin, e para disa ditësh në lidhje me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, ka nxitur reagime dhe në shtete të tjera.
Kësisoj, ministri i Shtetit të Nagorno Karabakh, Artak Beglaryan është ankuar se pse sipas tij, Kosova mund të përfitojë nga mekanizmat ndërkombëtarë, teksa Artsakh jo, që është Republikë e integruar dhe afruar me Armeninë.
Beglaryan në kanalin e tij Telegram tha madje se ishte mirë të dëgjoje presidentin rus, Vladimir Putin të fliste me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së António Guterres në lidhje me opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, i cili arriti në përfundimin se “deklarata e pavarësisë së Kosovës që u miratua më 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.
Sipas Beglaryan, referenca e Putinit për Kosovën ishte një precedent për popujt që jetojnë nën kërcënimin e shkatërrimit dhe luftojnë për të drejtën e tyre për vetëvendosje, siç është populli indigjen i Artsakhut.
“Dhe këtu është një pyetje retorike: pse Kosova apo vendet e tjera të panjohura ndërkombëtarisht duhet ta përdorin këtë mekanizëm ndërkombëtar të shpëtimit dhe dëmshpërblimit, ndërsa Artsakh, i cili përmbush të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare, jo? Nuk duhet të harrohen rastet e shumta kur komuniteti ndërkombëtar nuk i përmbushi detyrat e veta parandaluese, si pasojë e të cilave një sërë kombesh iu nënshtruan gjenocidit”, tha ministri i Shtetit
Ndryshe, Nagorno-Karabakh është një territor i diskutueshëm, i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por shumica e tij qeveriset nga Republika e panjohur e Artsakh-ut (e njohur edhe si Republika e Nagorno-Karabakh (NKR)) që nga Lufta e parë e Nagorno-Karabakh. Që nga përfundimi i luftës në 1994, përfaqësuesit e qeverive të Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë mbajtur bisedime paqeje të ndërmjetësuara nga Grupi i Minskut i OSBE-së për statusin e diskutueshëm të rajonit.