Milan ka fituar derbin e qytetit përballë Interit.
Skuadra e Milan ka shënuar një fitore spektakolare 2:1, me përmbysje kundër Inter, shkruan lajmi.net.
Inter fitoi pjesën e parë të takimit, me golin e shënuar nga Ivan Perisic në minutën e 38’, pas një tollovie që u krijua nga një goditje nga këndi.
Kur dukej se Milan po regjistronte humbjen e radhës që mund t’i zbehte shumë gjasat për titull, në skenë doli francezi Olivier Giroud.
Giroud shënoi fillimisht në minutën e 75’, duke shtyrë lehtë topin në rrjetë. I njëjti lojtar bëri një super lëvizje në minutën e 78’, dhe e përcolli atë me një goditje të saktë me të majtën, për t’i dhënë epërsinë Milanit, duke përmbysur kështu skuadrën ‘Zikaltër’.
Në fund të ndeshjes, Theo Hernandez u ndëshkua me karton të kuq, për një ndërhyrje brutale ndaj Dumfries.
Milan tashmë shkon në kuotën e 52 pikëve, me vetëm një pikë më pak sesa Inter që janë liderët e ligës, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak të luajtur.
Me fitoren e Milan, të siguruar nga Giroud, gara për titullin në Serie A mbetet e hapur.