Raportet në mes të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, s’janë kurrfarë. Hendeku mes tyre ishte krijuar qysh në kohën kur Rama i qëndronte afër Thaçit sa ishte president në negociatat me Serbinë, derisa është thelluar pasi kryeministri shqiptar po shtynë përpara idenë për “Ballkanin e Hapur”, shkruan Gazeta Express.
Se nuk duan ta shohin njëri-tjetrin me sy u vërtetua edhe pas takimeve të zhvilluara në Greqi në kuadër të Samitit SEECP (procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore). Të dy liderët në fotot që kishin publikuar, ishin kujdesur që ta shfaqnin njëri-tjetrin sa më pak të jetë e mundur. Rama e kishte publikuar një foto të përgjithshme ku shihej presidentja Osmani, deri kjo e fundit e kishte përfshirë Ramën vetëm në një foto, edhe atë ku shihej vetëm gjysma e tij.
Si rezultat i këtyre raporteve të këqija, Osmani është kujdesur që ta trajtojë në mënyrë speciale homologun nga Shqipëria, Ilir Metën, meqë ky i fundit s’ka kurrfarë raporte me Edi Ramën si kryeministër.
Përveç një takimi që kanë pasur në Junik gjatë majit, Osmani e ka ftuar Metën që të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë për ta përmbyllur mandatin e tij si President i Republikës së Shqipërisë.
Lajmin e ka bërë të ditur Zyrë për Media e Presidencës së Kosovës duke thënë se Meta do të qëndrojë në Kosovë me ftesën të presidentes Vjosa Osmani.
Presidenti i Shqipërisë do të pritet me nderime të larta shtetërore në sheshin “Ibrahim Rugova”.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, nesër (22 korrik 2022), pret për vizitë zyrtare, me rastin e përmbylljes së mandatit të tij, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.Në orën 09:00, Presidentja Osmani do ta presë presidentin Meta me ceremonitë më të larta shtetërore”, thuhet në njoftim.