Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qënduar në Ambasadën e Japonisë në Prishtinë, për të shprehur ngushëllime me rastin e vrasjes së ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe, ditë më parë, shkruan Scanner.
Krasniqi, në një postim në Facebook, është shprehur se Abe ishte mik i mirë i Kosovës dhe mbështetës i madh në shtetndërtimin e vendit tonë, si dhe lider i urtë e frymëzues.
“Gjithmonë jemi mirënjohës për kontributin e veçantë dhe të vazhdueshëm, personal e shtetëror që ish-kryeministri Abe ka treguar për vite me radhë ndaj vendit tonë.”, shkruan lideri i PDK-së.
Pas nënshkrimit në Librin e zisë, Memli Krasniqi është takuar me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka, me të cilin kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Japonisë në fusha të ndryshme.