Lista të fryera, status i rrejshëm i veteranëve. Janë këto vetëm disa nga akuzat kundër numrit të veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që deri tani në Kosovë statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53,188 persona.
E, lidhur me këtë çështje në Kosovë, aktualisht është në proces gjyqësor rasti i njohur si “Veteranët”. Aty rëndojnë akuzat se mbi 19,000 persona kanë fituar në mënyrë të paligjshme statusin e veteranit të luftës
12 të akuzuarit si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Veteranëve, ishin shpallur të pafajshëm në fillimin e muajit janar të vitit 2022, ndërsa tani rasti është kthyer në rigjykim.
Për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari
Por, sa është numri i personave të cilët marrin pensionin e veteranëve të luftës, në vitin 2022 dhe sa është në total shuma?
Jo në çdo muaj është numri i njëjtë i atyre personave, kjo pasi që në atë shifër luan rol një çështje.
Ajo është, fakti që një person mund ta marrë pensionin e veteranit nëse ai është i papunë. Pra, nëse ai person ka një pagë nuk i takon pensioni. Që do të thotë se punësimi i veteranëve ndikon në uljen e numrit të atyre që marrin pension të veteranëve të luftës.
Lidhur me këta numra, lajmi.net është informuar me shifrat e sakta nga zyrtari për media i ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Musa Demiri.
Në muajin korrik të vitit 2022, 34 mijë e 482 persona kishin marrë pensionin e veteranëve të luftës, për të cilët u shpenzuan afër 6 milionë euro.
Por, në muajin shkurt pensionin e kishin fituar 269 persona më shumë në krahasim me muajin korrik, pra gjithsej 34 mijë e 762 persona.
Ndërsa, numri i familjeve të veteranëve që kanë marrë pensione në vitin 2022, ka qenë i ndryshëm prej numrit të veteranëve.
Përderisa, në muajin dhjetor kishte po thuajse më së paku veteranë që kanë qenë përfitues të pensioneve, numri i familjeve të veteranëve që marrin pension ka qenë më i lartë gjatë të gjithë vitit 2022.
Kjo pasi që, në muajin dhjetor kishte 2 mijë e 341 familje përfituese, që në total shuma kishte arritur afër 280 mijë euro.
Ndërsa, janari ishte muaji në të cilin kishte më së paku familje të veteranëve të cilit merrnin atë pension. Pra, ishin gjithsej 2 mijë e 244 familje, që buxheti i Kosovës për ta pagoi në total afër 267 mijë euro.
Shuma totale e cila është shpenzuar për pensionet e veteranëve dhe familjeve të veteranëve në vitin 2022 është më shumë se 81 milionë euro.