Të paktën 100 vetë humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i dy makinave bombë tek ministria e arsimit të Somalisë, tha të dielën Presidenti Hassan Sheikh Mohamud.
Sulmi i së shtunës ishte më vdekjeprurësi që kur një kamion bombë shpërtheu në të njëjtin kryqëzim në tetor 2017, duke vrarë më shumë se 500 vetë.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet, por zoti Mohamud fajësoi grupin islamik al Shabaab të lidhur me Al Kaedën.
Kryetari i Komisionit të Bashkimit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, dënoi sulmin dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të “dyfishojë përpjekjet e tij për të siguruar mbështetje të fuqishme ndërkombëtare për institucionet e Somalisë në luftën e tyre për të mposhtur grupet terroriste.”
Presidenti Mohamud tha se disa nga të plagosurit ishin në gjendje të rëndë dhe numri i të vdekurve mund të rritet.
“Mes të vrarëve kishte nëna me fëmijë në krahë, baballarë, studentë, biznesmenë,” tha ai pasi vizitoi vendin e ngjarjes.
Militantët e Al Shabaabit, të cilët duan të rrëzojnë qeverinë dhe të vendosin regjimin e tyre bazuar në një interpretim ekstrem të ligjit islamik, shpesh ndërmarrin sulme në Mogadishu dhe qytete të tjera. Por grupi zakonisht shmang marrjen e përgjegjësisë për sulmet që shkaktojnë viktima të shumta.