Shefi i Politikës së Jashtme të BE’së, Joseph Borrell ka njoftuar se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje.
Borrell përmes një postimi në Twitter tha se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën lehtësimin e BE’së kanë rënë dakord për masat në mënyrë që të shmangen përshkallëzimet e mëtutjshme.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës, ndërsa Kosova do të ndërpres veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, ka shkruar Borrell.
Ai ka thënë se do t’i ftojë palët gjatë ditëve në vijim për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm.
Në fund, Borrell ka falënderuar emisarin evropian, Miroslav Lajçak i cili ka ndërmjetësuar takimin mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.