Në takimin e djeshëm të kryeministrit Albin Kurti me kryetarët e komunave, vëmendje mori kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Në media u publikua një video e shkurtë ku Lladrovci dëgjohet duke thënë disa fjali të cilat pasohen me të qeshura nga koleget e tij dhe kryeministri Kurti.
Lladrovci në emisionin Rubikon me Adriatik Kelmendin, foli për kontekstin e kësaj bisede, duke shtuar se batutat e tij shiten në media.
”Dje ishim për nënshkrim të “Kartës për Komunën e gjelbërt” bashkë me kryeministrin dhe kryeministri gjatë bisedës me ne, një pjesë të kryetareve të komunës, ku janë kryetarët e komunave të PDK-së, LDK-së, AAK-së, LVV-së dhe po ankohej zotëri Bedri Hamza për zvogëlimin e numrit të madh të mësimdhënësve në qarkoren buxhetore dhe unë bëja shaka me Bedriun se e keni rritur numrin, por Bedriu nuk ka qenë kryetar, por unë doja të ja fusja tjetrit se kur ishte Agim Bahtiri e kanë rritur numrin e madh të mësimdhënësve, pastaj e kanë ulur shumë dhe po bënim shaka. Zakonisht e dini që gazetarët, kamerat më rrinë të veshi kur po flet diçka Ramizi, sepse shiten edhe batutat e mija në media, unë nuk kam kompleks prej tyre, jam i bërë operacion prej këtyre komplekseve moti”, tha Lladrovci në Rubikon.
Kryetari i Drenasit shtoi se është shume serioz kur bëhet fjalë për punët në komunë.
”Nuk e di kjo a reflektohet në vota, nganjëherë mund edhe të humbi se dikush don me kanë serioz, je kryetar duhet me kanë serioz, me i pa njerëzit prej s’nalti, unë nuk mundem, sot jam kryetar nesër nuk jam, prapë duhet me nejt me ata njerëz që i bie që rri njëjtë. Në punë jam shumë serioz, prandaj edhe në grand performancë për shërbim ndaj qytetarit jam i pari, vendin e parë e kam zënë, në temat tjera jam ma mbrapa, për atë e kam vendin e tretë”, tha Lladrovci.