Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ngushëlluar familjen Shala për vdekjen e Taibe Shalës, nënës që rriti dhe edukoi një familje të tërë veprimtarësh të çështjes kombëtare, nënë dëshmori prej së cilës ka filluar themeli i shtetësisë së vendit tonë, duke kalitur në formimin e fëmijëve të saj rëndësinë e angazhimit për lirinë e vendit, raporton Scanner.
Kryetari Lladrovci mes të tjerash ka theksuar se nënat e heronjve janë vërtetë heroina, të cilat kanë dhënë shumë për luftën dhe lirinë e këtij vendi.
“Me dhimbje e pikëllim mora lajmin se nëna heroinë, Taibe Shala, ka kaluar në amshim.
Nëna Taibe, është e paharrueshme për të gjithë neve, nga veprimtaria e hershme e përbashkët me gjeneral Shabanin dhe bijtë tjerë të saj, Bedriun, Elmiun, Ganiun, Shabanin dhe Nuhiun si dhe vajzat Floria dhe Behija.
Morali i nënës heroinë, ishte i madh edhe atëherë kur përcillte bijtë e saj në vijat e luftës, edhe atëherë kur e mori vesh se ballë për ballë me okupatorin, ra heroi i Kosovës, Bedri Shala.
Familje e nderuar Shala, mbahuni të fortë.
Ngushëllime!”.