Home Ballina Largohen nga puna 180 punëtorë të RTK-së

Largohen nga puna 180 punëtorë të RTK-së

0

180 punëtorë, të cilët kanë qenë të angazhuar tash e një kohë në RTK me kontrata mbi vepër, kanë marrë njoftimin se nuk do t’iu vazhdohen kontratat pas 31 marsit.


Në emailin të cilin e ka siguruar GazetaScanner, ky njoftim vjen nga UD i Drejtorit, Shkumbin Ahmetxhekaj drejtuar punëtorëve. Në email ai sqaron se meqenëse më 31 mars përfundojnë këto kontrata dhe se nuk do të ketë vazhdim të tyre.

“Por, dyert e RTK-së mbeten të hapura për të gjithë, kurdo që transmetuesi publik të shpallë procese të reja të rekrutimit.  Aktualisht RTK është në krizë financiare dhe në proces të risistemimit dhe vlerësimi të kapaciteteve të brendshme”, thuhet ndër të tjera në emailin e Ahmetxhekaj, transmeton Scanner.

Ndërkohë, SPERTK ka reaguar duke thënë se Sindikata e Punëtorëve e RTK-së distancohet nga procesi i shkëputjes së kontratave të mbi 180 kolegëve tanë, e të cilat pritet të shkëputen me 31 mars në Transmetuesin Publik.

Më poshtë e gjeni emailin e plotë të Ahmetxhekaj drejtuar punëtorëve:

Të nderuar,

RTK-ja po kalon në një fazë tranzicioni, ku kontributi i secilit prej nesh është i domosdoshëm për ta zhvilluar dhe forcuar besimin tek transmetuesi publik.

Ky proces kërkon vendosmëri dhe përcaktim të qartë për rrugën që duhet ndjekur drejt kthimit të ligjshmërisë dhe, njëkohësisht, ballafaqimit me krizën më të madhe financiare që ka pasur ndonjëherë RTK-ja.

Gjatë kësaj periudhe, një ndër shqetësimet kryesore që kam pasur është çështja e kontratave për shërbime.

Me këtë rast, dua të shpreh falënderimin tim dhe të RTK-së për kontributin që kanë dhënë të gjithë bashkëpunëtorët, të cilët për disa vjet, në pozita të ndryshme, kanë ndihmuar në ngritjen dhe zhvillimin e mediumit publik. 

Jam i vetëdijshëm se shumë nga bashkëpunëtorët kanë punuar gati një dekadë në RTK me kontrata që janë cilësuar të parregullta.

Me të marrë detyrën e ud. të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, më 19 janar, jam përballur me çështjen e kontratave për shërbime, të cilat nuk bazohen në Ligjin e Punës e aplikimi i të cilave, në masë siç ka ndodhur në RTK, është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. 

Meqenëse po i afrohemi datës 31 mars, kur edhe përfundojnë këto kontrata, ju rikujtoj se nuk do të ketë vazhdim të tyre.

Por, dyert e RTK-së mbeten të hapura për të gjithë, kurdo që transmetuesi publik të shpallë procese të reja të rekrutimit. 

Aktualisht, RTK-ja është në krizë financiare dhe në proces të risistemimit dhe vlerësimit të kapaciteteve të brendshme.

Dua të besoj në mirëkuptimin e bashkëpunëtorëve të deritanishëm për këtë situatë dhe ju dëshiroj suksese në vazhdim të karrierës tuaj.

Me respekt

Shkumbin Ahmetxhekaj

Ud. Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së

Exit mobile version