Home Ballina Kurti takohet me Scholz në kongresin e socialistëve, ja çfarë biseduan

Kurti takohet me Scholz në kongresin e socialistëve, ja çfarë biseduan

0
Kurti takohet me Scholz në kongresin e socialistëve, ja çfarë biseduan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Kongresin e 30-të jubilar të Partisë së Socialistëve Evropianë, PES Congress 2022. Aty nga fotografitë shihet se ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, që rëndom ambasadorët për shkak të ndjeshmërisë dhe ruajtjes së balancave politike nuk marrin pjesë nëpër evente partiake.

Nëpërmjet një komunikate për medie nga Zyra e Kryeministrit është njoftuar se gjatë qëndrimit njëditor në Berlin, Kurti mori pjesë në asamblenë e kongresit, takoi liderë dhe politikanë të tjerë socialdemokratë, si dhe mori pjesë në darkën e përbashkët.

“Me Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministri Kurti bisedoi për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për çështjet aktuale. Kryeministri i uroi z.Stefan Löfven për pozitën e re si President i Partisë së Socialistëve Evropianë, kurse e falënderoi z.Sergei Stanischew për kontributin e tij si President i deritanishëm i PSE. Në takimin me z.Lars Klingbeil, bashkëdrejtues i Partisë Social Demokrate gjermane, u bisedua për vëmendjen e shtuar të Gjermanisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në kuadër të procesit të Berlinit”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Nga ZKM kanë njoftuar se në përmbyllje, kryeministri mori pjesë në darkën e liderëve, ku me një fjalë rasti iu drejtua krerëve shtetëror, komisionerëve evropianë, udhëheqësve të partive dhe përfaqësuesve të tjerë pjesëmarrës.

Po ashtu, aty thuhet se në këtë kongres të partive socialdemokrate u diskutua për politikat si përgjigje ndaj ndryshimeve në sigurinë ndërkombëtare, rritjen e çmimeve të energjisë dhe inflacionin, krizën e shkaktuar nga COVID-19, ndryshimet klimatike dhe sfidat sociale në Evropë.

Exit mobile version