Home Ballina Kurti për Al Jazeera: Askush nuk mund ta ndalojë Policinë e Kosovës të shkojë në veri

Kurti për Al Jazeera: Askush nuk mund ta ndalojë Policinë e Kosovës të shkojë në veri

0
Kurti për Al Jazeera: Askush nuk mund ta ndalojë Policinë e Kosovës të shkojë në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin Al Jazeera, ka deklaruar se askush mund ta ndalojë Policinë Speciale të Kosovës, të shkojë dhe patrullojë në veri.

Kurti ka deklaruar se pjesa veriore e Mitrovicës është pjesë e Kosovës dhe ka potencuar se pengimi i lëvizjes së lirë, nuk është asnjëherë zgjidhje.

“Dje jam takuar me gjeneralin Ferenc Kajari dhe me policinë tonë, si dhe EULEX-in. Barrikadat nuk janë zgjidhje. Ekziston një mekanizëm shtetëror që do të reagojë; nuk është vetëm policia, por edhe forcat speciale të policisë. Askush nuk mund ta ndalojë policinë speciale që të shkojë në veri. Veriu është pjesë e Kosovës, ndodhet në Kosovë dhe nuk ka pasur kurrë më shumë sundim të ligjit në veri të Kosovës sesa tani”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.

Karshi kësaj deklarate ka reaguar shefi i së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka thënë se nëse njësiti ROSU nuk ndalohet nga KFOR-i, do të jenë serbët ata që do ta bëjnë një gjë të tillë.

“Kam vetëm një mesazh për Kurtin: NATO është e detyruar të parandalojë çdo përpjekje të ROSU-s për pushtimin në veri. Nëse nuk e bëjnë, populli serb do të parandalojë inkursionet e ROSU-s”, ka thënë Petkoviq.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është ballafaquar me presionin e emisarëve të SHBA-së dhe BE-së për zbatimin e marrëveshjeve të arritura nga dialogu. Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e ka quajtur takim të vështirë, sikurse emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Takime të vështira me emisarët i konsideroi edhe Vuçiqi, i cili potencoi se pas orës 22:00 sonte do të bisedojnë sërish “për Kosovën”.

Më 1 shtator Qeveria e Kosovës pritet ta vë në zbatim vendimin për reciprocitetin në dokumente me Serbinë, vendim ky i cili u shty për shkak të tensionimit të situatës në veri.

Exit mobile version