Home Lajme Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë: Kemi toleruar shtyrjen e disa vendimeve, por edhe atyre ju del afati

Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë: Kemi toleruar shtyrjen e disa vendimeve, por edhe atyre ju del afati

0
Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë: Kemi toleruar shtyrjen e disa vendimeve, por edhe atyre ju del afati

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur konferencë për media së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pas mbledhjes së Këshillit së Sigurisë që u mbajt sot.

Kurti në fjalën e tij ka folur për situatën në veri të vendit, ku ka akuzuar edhe qeveritë e mëhershme për “marrëveshje” me kriminelët serbë, shkruan lajmi.net

“Me kriminelë si Radojçiqi e Veselinoviqi më herët është bërë edhe marrëveshje për të bërë Qeverinë e Kosovës por edhe për ta blerë qetësinë në veri të vendit”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se duke nënshkruar pajtueshmërinë që trupat e FSK-së të mos futen në veri, atje është liruar edhe rruga për kontrabandë dhe veprimtari jo-ligjore në komunat veriore.

Kurti është deklaruar edhe për shtyrjen e zgjedhjeve në veri dhe disa vendime të tjera që janë shtyrë për shkak të situatës në veri.

“Për shkak miqve tanë ndërkombëtarë, ne kemi toleruar edhe shtyrjen e disa vendimeve që kemi marrë, por këtyre shtyrjeve ju del edhe afati..Paligjshmëria nuk do të lejohet në asnjë pjesë të vendit tonë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka ftuar të gjithë qytetarët serbë që të punojnë së bashku me institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa në anën tjetër ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe të gjithë ata që po kontribuojnë në qetësinë e situatës në veri të Kosovës.

Kurti ka folur edhe për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, duke thënë se është diskuar për gjendjen aktuale dhe rritjen e vigjilencës së institucioneve të Kosovës.

“Ne kemi diskutuar së bashku dhe erdhëm në përfundimet e mira për më shumë vigjilencë dhe gatishmëri të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të mundësohet vendosja e paqes dhe sigurisë, ligjshmërisë e kushtetutshmërisë. Ne nuk jemi kundër askujt në bazë të etnisë, por në bazë të sjelljeve të tyre në raport me sundimin e ligjit në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.

Exit mobile version