“Nuk ka trystni mbi mua”, deklaronte dy vite më herët kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Mirëpo, ai veçse ka filluar ta provojë e presionit ndërkombëtar. Të premten mbrëma, pas takimit që pati me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në objektin e Qeverisë, mori vendim për ‘shkallëzim’ e ‘sekuencim’ të vendimit për targat, që me fjalë të tjera i ra ta shtynte deri në prill të vitit të ardhshëm.
Diskursit të Kurtit, të adoptuar nga opozita, duket se po i shihet fundi. Kurti në konferencë për media bëri të ditur se si shkak i shqetësimeve për sigurinë nga ndërkombëtarët, u mor edhe një vendim i ri për targat.
Në vitin 2020, shefi ekzekutiv mburrej se nuk mund t’i bëhet presion dhe tregonte kureshtjen e tij për të ditur se si duket presioni ndërkombëtar.
“Nuk ka trysni mbi mua. Nuk ka presion mbi mua. Ata që kanë përjetuar trysni duhet ta tregojnë se si duket ajo trysni, por edhe më tutje jam kureshtar të kuptojë se si duket ajo trysni. Po ka mundësi që kur nuk je i korruptuar e nuk mund të të shantazhojnë, nuk e përjeton as trysninë”, deklaronte ai.
Mirëpo, kureshtja e tij u shuajt mbrëmjen e së premtes, së datës 28 tetor 2022. Qeveria e Kosovës zbuti vendimin për targat, duke e shtyrë largimin e dhunshëm të targave ilegale serbe deri në prill të vitit 2023.
Sipas vendimit të ri, nga data 1 nëntor deri me 21 nëntor, atyre që kanë targa ilegale do tu shqiptohet qortimi.
Kjo do të vazhdojë deri me 21 janar të vitit të ardhshëm, siç ka njoftuar kryeministri, ku më pas të fillojë edhe vënia e gjobave. Kjo do të vlejë deri më 21 prill, kur qeveria synon të largojë nga qarkullimi targat KM.
A është i korruptuar, apo i shantazhuar Kurti, sipas fjalëve të tij? /Lajmi.net/