Ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, që tashmë janë pjesë e Partisë Social Demokrate, sot para objektit të Qeverisë kanë dorëzuar dosje me peticione të mbledhura nga VV-ja në vitin 2015 kur kjo parti i kundërshtonte marrëveshjet që ishin arritur mes Kosovës dhe Serbisë po atë vit.
Kundërshtues i këtyre marrëveshjeve, përfshirë edhe atë të energjisë e cila u nënshkrua së fundmi nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në Bruksel, ishte edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Këto peticione që u lan sot para objektit të Qeverisë nga anëtarët e PSD-së, si shenjë proteste, ishin mbledhur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera të atëhershme opozitare, AAK dhe Nisma, të cilat kundërshtonin marrëveshjet me Serbinë, në veçanti të asaj për themelimin e Asosacionit të Komunave me shumicë Serbe, në të njëjtën kohë kur kundërshtohej edhe Demarkacioni me Malin e Zi.
Në një nga faqet e peticioneve shihet edhe nënshkrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.