Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes së vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas raportimeve për shpenzimet e kësaj të fundit gjatë kohës sa ishte deputete në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se Osmani asnjëherë nuk ka paraqitur kërkesë për kompensim për udhëtim dhe se asnjëherë nuk është informuar për këtë kompensim.
Kupina ka bërë të ditur se gjatë mandatit si deputete, Kupina ka deklaruar se presidentja Osmani kishte udhëtuar nga Gjilani.
“Që nga dhjetori i vitit 2012, znj.Osmani është martuar në Prishtinë, por edhe më tej, më shumë se gjysmën e vitit (nga fillimi i vitit 2013 e tutje), zonja Osmani i kalon në Gjilan, prej nga edhe ka udhëtuar. Znj. Osmani edhe sot e kësaj dite vazhdon që pjesën më të madhe të vitit të udhëtojë nga Gjilani. Përgjatë viteve 2011-2014 që ajo qenka kompensuar me rreth 80 euro në muaj për udhëtimet e mandatit të parë, ajo asnjëherë nuk është informuar rreth kompensimit për udhëtim”, ka deklaruar Kupina.
Tutje, Kupina ka thënë se në raportin e shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve dëshmohet se Osmani nuk është kompensuar për katër mandatet tjera si deputete edhe pse ka udhëtuar për pjesën më të madhe të secilit nga këto vite.
Reagimi i plotë:
Reagim ndaj “qepuesve” që e akuzojnë presidenten për abuzim të taksave qytetare
Në vitin 2010, kur zonja Osmani është zgjedhur deputete për herë të parë, nuk ka ekzistuar asnjë rregullore, me të cilën parashihej kompensimi i deputetëve për udhëtim prej komunave nga vijnë. Në atë kohë, deputetja Osmani asnjëherë nuk është informuar nga administrata e Kuvendit apo trupat e tjerë të Kuvendit, që ndërkohë është marrë një vendim i tillë për kompensim. Ajo është regjistruar në formularin për regjistrim si deputete e Mitrovicës, por ajo poashtu asnjëherë nuk ka paraqitur kërkesë për kompensim për udhëtim.
Që nga dhjetori i vitit 2012, znj.Osmani është martuar në Prishtinë, por edhe më tej, më shumë se gjysmën e vitit (nga fillimi i vitit 2013 e tutje), zonja Osmani i kalon në Gjilan, prej nga edhe ka udhëtuar.
Znj. Osmani edhe sot e kësaj dite vazhdon që pjesën më të madhe të vitit të udhëtojë nga Gjilani. Përgjatë viteve 2011-2014 që ajo qenka kompensuar me rreth 80 euro në muaj për udhëtimet e mandatit të parë, ajo asnjëherë nuk është informuar rreth kompensimit për udhëtim.
Siç dëshmohet ajo nuk është kompensuar për 4 mandatet e tjera si deputete edhe pse ka udhëtuar për pjesën më të madhe të secilit nga këto vite.
Prandaj moralizuesit që sot qepojnë duhet të reagojnë për 53 milionëshat e shumtë të abuzuar nga partitë e tyre, e jo ta dezinformojnë publikun rreth presidentes.
Se sa e kujdesshme është presidentja me kuletën e shtetit e dëshmon fakti që edhe si kryetare e kuvendit e edhe si presidente ka bërë shpenzime deri dhjetëfish më të vogla, por duke bërë punë shumëfish më të mëdha për shtetin!