Shkruan: Skënder Berisha
Titujt e disa mediave, këto ditë, shprehin entuziazëm me opinionin e ndonjë turisti nga Evropa apo më larg, për gjendjen dhe përshtypjet që ia krijon Kosova gjatë qëndrimit të tyre këtu. Disa nga titujt, më shumë shprehin inferioritet të skajshëm lokal se sa gjendjen reale apo përshtypjet e bazuara në ato që shohin.
Kur vije një i huaj, me paragjykimet dhe klishetë e fituara nga armiqtë e përbetuar të shqiptarëve nga mediat apo kancelaritë evropiane të krahut stalinist dhe të djathtës putiniste se në Kosovë “ka dhunë”, është “shtet i dështuar”, me ambient “të shkatërruar”, me mungesë “kulture”, me nëpërkëmbës “vlerash”, me “arrogancë”, me “mungesë tradite shtetërore”, domosdo bien në ujë, që në hapat e parë mbi tokën e Kosovës.
Kur një i huaj, i cili nuk i ka në formimin e tij kulturor e intelektual propagandën antishqiptare, gjendja i duket krejt normale, mbase, me më pak rreziqe edhe nga vendi nga vjen. Të rrallët do të kishin arsye të dëgjoheshin duke e ngritur në qiell Kosovën dhe popullin e saj. Nëse do të kishin informacion të mjaftueshëm për historinë e re të Kosovës, gjithsesi, secili e di se ndodhet në vendlindjen e mrekullisë, në tokën e çliruar nga guerilja më e suksesshme në botë, UÇK dhe shteti më proamerikan, po ashtu në botë.
Një i huaj, gjen mjaftë elemente pozitive jetësore në mesin tonë, aq të vlefshme për ta, sa do të donin të jetonin në Kosovë, ndërsa ne, nuk i vërejmë, mbase as i trajtojmë si vlera.
Me mikun tim amerikan, albanologun e parë të huaj që e njoha, dy vjet pas daljes time nga burgu, kisha pikëtakime por edhe dallime në ide. Dallimi i parë ishte koncepti ynë për lirinë. Por, kjo nuk ndikoi t’i hiqet iluzioni. Ishte vizita në Greqi që ia kthjelli konceptet. Para se të nisej andej, unë me vogëlsinë time, ia pata shpjeguar se historia e Greqisë pa arbërorët, pra pa shqiptarët, në historinë e fundit gati 200 vjeçare, nuk do të ishte as sa gjysma e Qipros. I kam folur për gjenocidin grek ndaj shqiptarëve dhe kam numëruar disa personalitete të njohura në Amerikë, arbërorë. Të gjitha këto, nuk i kanë lënë fare përshtypje, deri sa nuk shkoi vet atje dhe përjetoi në lëkurën e tij se Greqia nuk kishte demokraci dhe popujt tjerë as nuk guxonin të deklaroheshin për përkatësinë etnike.
Nga rruga e parë, miku im, u bind se grekët jo vetëm që paskan bërë krime gjatë shekullit të 20 dhe më herët ndaj shqiptarëve dhe pakicave, por ushtrohej diktaturë të cilën ai e kishte përjetuar gjatë pushimeve në Greqi, flitet për fundin e viteve ’80.
Pas “pushimit” në Greqi, dashuria e mikut tim amerikan për shqiptarët dhe lirinë e Kosovës, ishte e papërmbajtshme, e qartë si rrezja e diellit. Polemika patëm edhe për shtetin policor serb të asaj kohe. Ai e shihte më të butë në shprehje se sa regjimin grek. Atë krahasim e kundërshtoja, sepse, me shembuj i tregoja se gjenocidi serb ndaj trojeve shqiptare shfaqej më jetëgjatë, më mbytës, trajtohej si hapësirë e planeve të Pjetrit të Madh për daljen në det dhe ujëra të ngrohta.
Gjatë debateve të gjata, kërkova mendim nga miku im amerikan, se çfarë e entuziazmon me ne shqiptarët, cilat janë vlerat për të cilat ia vlente të jetonte mes nesh, ai, me plot gojën më pat thënë: Familja, këtu ia vlen të jetohet.
Një mik imi gjerman, diplomat, pak para kthimit në Gjermani dhe mbarimit të shërbimit që kishte bërë në Kosovë, në bashkëbisedim edhe me grupin e oficerëve që ndodheshim bashkë në kremten e Bashkimit të Gjermanisë, e pyeta se çfarë i pëlqeu më së shumti në Kosovë? Përgjigja e tij ishte e shpejtë: Natyra. E pas natyrës, njerëzit, natyra e tyre, më tha. Mirë natyra, po pse njerëzit, ishte pyetja e radhës. Përgjigja e tij ishte sikur po ma thoshte fshehtësinë për vendndodhjen e Kupës së shenjtë të Darkës së fundit: Ju shqiptarët ende i bartni në fytyrë emocionet njerëzore, këtu ia vlen të jetohet.
Nga këto dy raste, të dala nga miqësia ime me dy të huaj, nga dy skaje të botës, kanë një përfundim që në Kosovë ia vlen të jetohet, për vlerën e familjes, natyrës dhe shqiptarëve. Vlera, të cilat hë për hë, një pjesë jona as që i vëren, as që i rëndit si vlera, mbase dëshiron të ikë nga to. Për fat të keq.
Klishetë e miqve të mi sipas të gjitha gjasave ishin thyer dhe humbur rrugës gjatë jetës së tyre në mesin tonë, para se të ngazëlleheshin me formalizma të tipit të titujve të gazetave të këtyre ditëve, për rininë tonë, për optimizmin, dijet e të rinjve, për flijat dhe verën.
Nuk është e rastit se hajni bërtet i pari “kape hajnin”, ndryshe, opinioni i disa hajnave ndërkombëtarë që vodhën aq sa u dha Zoti fuqi në Kosovë, në mediat e huaja propagandonin sikur këndej korrupsioni është galopant, madje na ngjitën sikur është “me origjinë” vendore. Për fat të keq, pas 23 vitesh, po konfirmohet se Kosova ishte ndryshe nga sa paraqitej në Evropë, për këtë u bindën ata që s’i zinte gjumi nga Putini dhe politikanë vendorë që nxinin Kosovën kudo arrinin ta merrnin fjalën.
Disa të huaj, para se të vinin këtu, punëdhënësit i kanë informuar se Kosova është si Afganistani, plotë kaos, pluhur, pa ujë, rrymë, arsim, pa ligj, pa shtet, pa siguri, pa shëndetësi, pa vullnet për të ndërtuar shtet demokratik. Por, kushdo erdhi në Kosovë, gjeti diçka tjetër. Kosova është vend i mundësive, shtet në të cilin ia vlen të jetohet, për familjen, natyrën dhe natyrën njerëzore. Këto vlera që i kemi pranë, jo për të gjithë edhe janë vlera. Me të drejtë, secili kërkon rrugë për vlera që i konsideron si qëllim, por, vështirë të gjenden si këto, për të cilat ia vlen të jetohet.