Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka zhvilluar një takim virtual me kongresistët nga Grupi për Çështje shqiptare në Kongresin amerikan, Ritchie Torres, Darrell Issa dhe Robert Aderholt.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se kongresistët amerikanë ritheksuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë aleat më të madh se Kosova në Evropë, dhe se është koha që Kosova të pranohet në NATO.
“Ata vlerësuan pozicionimin e Kosovës dhe angazhimin e përbashkët në avancimin e parimeve demokratike. Po ashtu, theksuan domosdoshmërinë e ripërtëritjes së angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’u siguruar që Kosova, shtet mik e aleat i ShBA-ve do të marrë trajtim të drejtë”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se kryeministri e falënderoi kongresistin Torres, njëherit bashkëkryesues i Grupit për Çështje shqiptare në Kongresin amerikan, dhe kongresitët për avokimin e tyre për Kosovën, dhe vlerësoi deklaratat publike në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian.
“Merita të mëdha për suksesin e Kosovës kanë mbështetësit e fortë në Kongresin Amerikan, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Kosova ka fatin e mirë që tani ka edhe kongresistët nga Grupi i Çështjeve shqiptare si aleatë në Kongres”.
“Kryeministri Kurti theksoi se ka një sërë fushash në të cilat mund të thellohet e zgjerohet bashkëpunimi në interes të Kosovës, duke veçuar avokimin për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë”, thuhet në njoftim.