Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku është deklaruar sërish lidhur me kërkesën e mosmiratimit të projektligjit për pagën minimale në vend.
Klinkau ka deklaruar se ky projektligj është diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së.
Klinaku përmes një publikimi në Facebook ka bërë kërkesë ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për mosmiratimin e këtij projektligji për inate politike.
“Të nderuar deputetë, që ju ka mbetur pak dinjitet! Mos e miratoni nesër projektligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së e për inate politike, sepse ne jemi duke mbrojtur interesat e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe jo interesat e partive politike”, shkroi ai.
Po ashtu ai ka theksuar se deputetët nuk duhet të rreshtohen kundër interesave të kategorive të luftës së UÇK-së, pasi janë po ata që janë në bashkëqeverisje për interesat e pakicave që përfaqësojnë.
Klinaku tha gjithashtu se nëse nuk dëgjohet thirrja e tij do të detyrohen të organizojnë protestë para institucioneve.
Postimi i plotë:
Të nderuar deputetë, që ju ka mbetur pak dinjitet!
Mos e miratoni nesër projektligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së e për inate politike, sepse ne jemi duke mbrojtur interesat e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe jo interesat e partive politike.
Të nderuar deputetë të pakicave!
Mos u rreshtoni kundër interesave të kategorive të luftës së UÇK-së, sepse ju jeni në bashkëqeverisje aty për interesat e pakicave që i përfaqësoni.
P.S
Në të kundërtën, nëse nuk i dëgjoni thirrjet, do t’na detyroni që të organizojmë protestë për të qëndruar para institucioneve natë e ditë.